Mbyllja e TikTok/ Berisha njofton protestë më 15 Mars: Të çlirojmë platformën, të rinjtë të mblidhen nga çdo anë e vendit

0

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka thirrur protestë kombëtare më datë 15 mars, kundër vendimit të qeverisë, për të mbyllur platformën sociale. Me anë të një deklarate për mediat, Berisha ka deklaruar se Rama po përsërit atë që bënte Enver Hoxha dhe Spiro Koleka gjatë diktaturës. Berisha në fjalën e tij, u ka bërë thirrje çdo të riu nga Shqipëria që të bashkohen në protestë për të kundërshtuar këtë vendim.

“T’u heqësh shqiptarëve të drejtën e përdorimit të TikTokut dëshmon se çfarë arbitrariteti. Ripërsërit ekzakt atë që bënte Enver Hoxha, Spiro Koleka, Kristaq Rama gjatë diktaturës, të cilët valëve të radios dhe televizioneve perëndimore u vinin zhurmues në të katër anët e vendit. Me këtë rast ftoj të gjithë gjimnazistët, të gjithë të rinjtë, të gjithë qytetarët të nisim betejën për çlirimin e TikTokut dhe përmbysjen e narkodiktatorit. Me datën 15 mars protestë e përgjithshme kombëtare në sheshin ‘Skënderbej’ para kryeministrisë. Një protestë në të cilën kërkohet anulimi i menjëhershëm i vendimit për censurën dhe bllokimin e TikTokut,” tha Berisha.