“Më lironi burrin”/ Solli në jetë fëmijën e tij, 13-vjeçarja protestë për arrestimin e Dritson Kurtit: S’ka kush na ushqen…

0

Përfaqësues të komunitetit rom dhe familjarë të Dritson Kurtit dolën sot në protestë para Gjykatës së Korçës.

Ata kërkojnë lirimin e 25-vjeçarit, Dritan Kurti, i cili u arrestua në shtator të vitit të kaluar pasi solli në jetë një vajzë me bashkëjetuesen e tij të mitur vetëm 13 vjeç.

Me pankarta në dua ”Drejtësi për Dritson Kurtin”, protestuesit kërkojnë pushimin e çështjes ose ndryshimin e masës së sigurisë në detyrim paraqitje. Edhe partnerja e tij e mitur u shpreh se kërkon lirimin për shkak se ai është i vetmi që siguron të ardhura për të dhe foshnjën.

“Ma lironi burrin. Mua nuk ka kush të më ushqejë siç e kam thënë gjithmonë. S’kam krah pune. Të vështira shumë këto muaj, gjyshja më shumë borxh ka marrë te dyqani që na mban dhe mua dhe fëmijën tim. Dua vetëm të ma lironi. Është protesta e tretë”, tha ajo.

Avokati i Dritson Kurtit, Enea Cenko tha se pala mbrojtëse kërkoi sot gjykimit të shkurtuar, kërkesë e cila u pranua nga gjykata.

“Sot seanca në gjykatën e Korçës shkoi shumë mirë. Deri në këtë moment procedurial që ne jemi, u kërkua një seancë më parë, rikualifikimi i akuzës neni 100/2 i kodit penal dhe gjykata ishte tërhequr për të marrë vendim. Pranonte rikualifikimin e akuzës. Tashmë në seancën e sotme, në gjykimin paraprak, gjykata e pranoi siç e kërkoi prokuroria nga neni 100/2 në nenin 100/1.

U kërkua nga ana jonë pjesa e gjykimit të shkurtuar çka u pranua nga gjykata. Është bërë një punë kolosale për ti krijuar bindjen dhe për ti kërkuar organit të akuzës, rikualifikimin e akuzës. Në seancën e radhës do dëgjojmë konkluzionet e organit të akuzës. Vajza e mitur, viktima e këtij procesi ka folur duke kërkuar me insistim që bashkëshorti i saj të kthehej në shtëpi dhe të siguronte jetesën.

I bëj thirrje të gjitha institucioneve, të marrin një vendim sa më të drejtë duke patur parasysh se ka një konventë speciale për komunitetin rom dhe të shikohet me tepër rigorozitet konventa europiane për romët. Nëse do të ishim tek kualifikimi i parë që bëri prokuroria, Dritson Kurti rrezikonte deri në 25 vite burg. Në këtë moment procedurial, kemi të bëjmë me një kërkesë për dënim nga 7-15 vite.

Besoj se gjykata do marrë parasysh rrethanat lehtësuese dhe duhet theksuar që është një fakt shumë i rëndësishëm që viktima nuk ka bërë denoncim për këtë person. Tjetër fakt është që në procesin e sotëm, ajo foli çfarë i kërkonte shpirti i saj. Ky është një alarm i madh në rast se ky person do të jetë akoma në këto kushte, do të thotë që shumë anëtarë të komunitetit rom, janë martuar të vegjël dhe sot policia e shtetit të bëjë një plan masash e të arrestojë një pjesë të konsiderueshme të këtij komuniteti. Gjykimi i shkurtuar është kërkuar nga ana jonë për ekonomi gjyqësore dhe deri në fund ne do të këmbëngulim për pafajësi. I bëjmë apel të gjitha institucioneve që të reagojnë për këtë çështje, dhe në veçanti gjykatës, prokurorisë, të shikojë vendimmarrjen me tepër rigorozitet dhe mendoj që do të ketë diçka lehtësuese”, tha avokati.