FIER- Një 28-vjeçar është gjobitur nga policia e Fierit për shkelje të rregullave të qarkullimit. Në njoftimin e policisë bëhet me dije se i riu A.F u ndëshkua me 40 mijë lekë gjobë. Ai është pikasur duke qarkulluar me shpejtësi dhe kryer manovra të rrezikshme në zonë urbane.
“Qarkulloi me shpejtësi dhe kreu manovra të rrezikshme, në zonë urbane, ndëshkohet me masë administrative 40 000 lekë, drejtuesi i automjetit. Menjëherë pas publikimit të një video-je në rrjetet sociale, në të cilën shfaqet një drejtues automjeti që leviz me shpejtësi tej normave të lejuara dhe kryen manovra të rrezikshme në një zonë urbane, shërbimet e Policisë Rrugore të Fierit kanë bërë të mundur lokalizimin e automjetit që shfaqej në video, si dhe kapjen e drejtuesit të tij, shtetasit A. F., 28 vjeç. Për kundërvajtjen e kryer, si dhe për errësimin e xhamave tej normave të lejuara, konkretisht për shkelje të neneve 137 dhe 139 të Kodit Rrugor, ndaj shtetasit A. F. u vendos masa administrative 40 000 lekë të rinj. Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, me qëllim mbrojtjen e jetës dhe garantimin e sigurisë rrugore.” njofton policia.