Prej dy ditësh në plazhin më të madh brigjeve të Adriatikut, Velipojë, ka nisur një aksion i gjerë për lirimin e hapësirave publike.
Ndryshimet e bëra këtë vit me vendim të këshillit të ministrave, duke i dhënë më shumë kompetenca bashkive kanë bërë që sezoni të nisë me vonesë, për shkak të ngërçeve që krijuan përplasjet politike në fushatën zgjedhore.
Asnjë tolerim nuk do të ketë ndaj atyre që cenojnë këto hapësira, ishte paralajmërimi që autoritetet dhanë nga terreni, ku panë nga afër ecurinë e punës.
Vetë qytetarët vlerësojnë rritjen e hapësirave publike dhe punën që po bëhet në këtë drejtim.
Task Forca mes Policisë Bashkiake, Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhe Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike po kalon në sitë 14 kilometrat e vijës bregdetare të Velipojës, nga grykëderdhja e Bunës e deri në Rrjoll. Velipoja është qendra kryesore turistike e Bashkisë Shkodër, ku gjatë fundjavave numri i pushuesve arrin në më shumë se 100 mijë.