Meloni: Italia do ta njohë Palestinën vetëm nëse përjashtohet Hamasi dhe lirohen të gjithë pengjet

0

SHBA- Kryeministrja italiane Giorgia Meloni deklaroi se Italia do ta njohë shtetin palestinez vetëm nëse të gjithë pengjet izraelite lirohen dhe grupi militant Hamas përjashtohet nga çdo rol qeveritar.

“Nuk jam kundër njohjes së Palestinës, por duhet t’i caktojmë vetes prioritetet e duhura”, u tha Meloni gazetarëve, duke njoftuar se qeveria e saj do t’i paraqesë parlamentit një mocion për këtë çështje.

Duke folur nga Nju Jorku, ku po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Meloni tha gjithashtu se presioni ndërkombëtar duhet të ushtrohet mbi Hamasin dhe jo mbi Izraelin, duke fajësuar grupin për fillimin e luftës dhe bllokimin e përfundimit të saj duke refuzuar të dorëzojë pengjet.

Meloni udhëheq një qeveri të krahut të djathtë që ka qenë një nga aleatët më të fortë të Izraelit në Bashkimin Evropian dhe ka refuzuar të ndjekë shembullin e vendeve të tjera të G7 si Britania, Kanadaja dhe Franca në njohjen e shtetësisë palestineze këtë muaj.