Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, komentoi në emisionin “Now” me Erla Mëhillin, vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës që votoi propozimin për shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra. Fati i Veliajt tashmë është në dorën e Këshillit të Ministrave.
Opozitari Agron Shehaj u shpreh se gjithçka që ka ndodhur që prej arrestimit të Veliajt, është një teatër i organizuar nga Edi Rama.
“S’më duket interesant debati mbi procedurat dhe nuk është ky thelbi. S’ka shqiptar që nuk e di se kush janë arsyet pse Veliaj është në burg. Jo vetëm s’mund të jetë kryebashkiak i Tiranës, por duhet të kishte ikur prej kohësh duke dhënë dorëheqjen ose të ishte larguar nga Edi Rama.
Këto që kanë ndodhur që prej arrestimit të tij janë teatër i Edi Ramës. Nëse do donte Rama që Veliaj të jepte dorëheqjen, do kishte vepruar vetëm me Erion Veliajn siç ka vepruar me gjithë kryetarët e bashkive të cilët Rama vetë mendonte se ata duhet të largohen se dëmtojnë PS-në, ata kanë dhënë dorëheqjen pa bërë asgjë publike. Kjo ka ndodhur me kryebashkiakë, ministra e deputetë.
E gjitha një lojë. Erdhi dita që Ramës i intereson që Veliaj mos të jetë kryebashkiak. Nëse Edi Rama do t’i kërkonte Veliajt që të jepte dorëheqjen, ai do e jepte patjetër.
Rama ka pushtet absolut mbi të gjithë në Shqipëri. Nuk guxon njeri të bëjë tratativa me këtë njeri që ka gjithë këtë pushtet.
Pyetja është se pse Veliaj që e dimë që është i korruptuar, ndërsa Xhaçka është në parlament. Pse Veliaj në burg dhe Rama jo?”-tha Shehaj.





