Merr vendimin e pazakontë/ Shefja çon me leje të gjithë stafin e kompanisë

0

Bumble, aplikacioni për njohje të reja ku gratë kanë të drejtën për të bërë lëvizjen e parë ka mbyllur përkohësisht të gjitha zyrat për të gjithë javën si përpjekje për të luftuar stresin në vendin e punës.

700 personat e stafit të kompanisë në të gjithë botën u është dhënë urdhri që të ndërpresin punën dhe të përqendrohen te vetja e të pushojnë.

Një drejtues i lartë i kompanisë zbuloi përmes Twitter se themeluesja e kompanisë, Whitney Wolfe Herd e kishte nuhatur se stafi i saj ishte i stërlodhur për shkak të ngarkesës së punës që ka pasur ky vit.

Bumble ka pasur një vit më të ngarkuar se shumica e kompanive të këtij lloji falë suksesit që me debutimin në tregun e aksioneve, që pasoi një rritje të shpejtë të numrave të përdoruesve.

Kompania njoftoi në prill se të gjithë punonjësit e Bumble do të kenë një javë pushim plotësisht të paguar në muajin qershor.

Një zëdhënëse e Bumble tha se stafi mbështetës i klientëve do të punojë në rastet kur ndonjë nga përdoruesit e aplikacionit kërkon ndërhyrjen e tyre. Këtyre punonjësve më pas do t’u jepet pushim për t’u siguruar që marrin një javë të tërë leje, si gjithë të tjerët.

Bumble është rritur në popullaritet gjatë pandemisë. Numri i përdoruesve me pagesë nëpër Bumble dhe Badoo, të cilin gjithashtu zotëron Bumble u rrit me 30% në tre muaj deri më 31 mars, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Wolfe Herd gjithashtu u bë gruaja më e re në moshën 31 vjeç, që ngriti një kompani të përfshirë në bursa në SHBA. Ajo u shfaq në Nasdaq me djalin e saj 18 muajsh në prehër dhe gjatë fjalës së rastit shpjesoi se synonte që ta bënte internetin më të përgjegjshëm dhe më tërheqës, kryesisht për gratë.