Kandidati i Presidentit amerikan për ambasador të SHBA-së në Shqipëri, Eric Wendt, e vendosi SPAK-un dhe luftën kundër korrupsionit në qendër të mesazheve të tij gjatë seancës dëgjimore në Senatin amerikan, duke e cilësuar strukturën shqiptare të posaçme si një nga arritjet më të rëndësishme të mbështetjes amerikane në vend.
Gjatë pyetjeve të senatorëve amerikanë, Wendt u ndal veçanërisht te roli i SPAK-ut në forcimin e shtetit ligjor dhe krijimin e një klime më të sigurt për investimet e huaja në Shqipëri.
“Nga gjithçka që kam lexuar, SPAK në Shqipëri është një institucion shumë i vlefshëm dhe i pavarur. Prokurorët që punojnë aty i nënshtrohen procesit të vetingut”, deklaroi ai para Senatit.
Një nga senatorët e pyeti drejtpërdrejt nëse funksionimi i SPAK-ut dhe lufta ndaj korrupsionit ndikojnë në rritjen e investimeve amerikane në Shqipëri. Në përgjigjen e tij, Wendt theksoi se barazia përpara ligjit dhe respektimi i rregullave janë elementë themelorë për çdo investim serioz amerikan.
“Unë do të bëj punën time si ambasador; nëse ato kompani ndjekin rregullat, atëherë do të jemi në rregull. Përsa i përket SPAK, unë them se ajo ka qenë efektive. Zoti senator, i bashkohem mendimit tuaj dhe mendoj se të gjithë duhet të kenë oportunitete të barabarta”, u shpreh Wendt, duke iu referuar edhe investimeve të pritshme të lidhura me familjen Trump në Shqipëri.
Në fjalën e tij, kandidati për ambasador ndaloi vëmendjen edhe te rëndësia strategjike e Shqipërisë në NATO, duke përmendur projektin e Porto Romanos si një pikë me rëndësi ushtarake dhe ekonomike për aleancën.
“Përsa i përket aleancës tonë në NATO, një pikë e rëndësishme është Porto Romano. Është një nga portet kryesore atje që për momentin, në të ardhmen, mendoj do të ketë një facilitet për kargo. Është i lokalizuar dhe do të jetë efektiv në 2030. Nga aty forcat ushtarake do të kenë një lokacion fitimprurës për NATO-n dhe për bizneset gjithashtu”, tha ai.
Megjithatë, një pjesë e rëndësishme e deklarimeve të Wendt lidhej edhe me faktin se shumë prej qëndrimeve dhe veprimeve konkrete do të varen nga situata që ai do të gjejë në terren pas mbërritjes në Shqipëri.
“Pasi të shkoj atje, unë duhet të shoh çfarë ndodh atje dhe pastaj të veproj”, deklaroi Wendt në Senat, duke lënë të kuptohet se vendimmarrjet e tij do të mbështeten mbi realitetin politik dhe institucional që do të konstatojë në vend.





