Ministri i Jashtëm Hasani, vizita zyrtare në Qipro dhe Greqi

0

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani do të zhvillojë vizitë zyrtare në Qipro dhe në Greqi.

Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Jashtme, më datë 2 qershor në Qipro, Hasani do të takohet me homologun qipriot Constantinos Kombos; me Presidentin e Republikës së Qipros, Nikos Christodoulides; Presidenten e Dhomës së Përfaqësuesve, Annita Demetriu; dhe të tjerë përfaqësues të lartë.

Në fokus të vizitës në Qipro, do të jetë thellimi i marrëdhënieve dypalëshe në fusha me interes të ndërsjellë, si dhe bashkëpunimi rajonal, në Evropë, e më gjerë.

Ndërsa më datë 3 qershor, Hasani do të zhvillojë vizitë zyrtare në Greqi, ku do të takohet me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë, George Gerapetritis.

Në fokus do të jetë intensifikimi i dialogut politik dhe bashkëpunimit ekonomik, si dhe nevoja për të avancuar projekte konkrete në dobi të qytetarëve të të dy vendeve.

Në Greqi, Hasani do të pritet gjithashtu nga Presidenti Konstantinos Tassoulas, si dhe do të jetë i ftuar në Institutin ELIAMEP për të referuar mbi stadin e rrugëtimit të Shqipërisë drejt integrimit evropian.