Ministrja Belinda Balluku zyrtarisht lejon punësimin e kontrollorëve të huaj

0

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikëa, Belinda Balluku, ka firmosur ditën e sotme urdhrin që i hap rrugë punësimit të kontrollorëve të huaj në aeroportin e Rinasit.

Ky vendim ka ardhur pas bllokimit të aeroportit të Rinasit për më shumë se 24 orë nga kontrollorët shqiptarë, të cilët shpallën paaftësi të përkohshme pasi iu ishin ulur rrogat.

Sipas urdhrit të firmosur nga Balluku, licensa e kontrollorëve që operojnë jashtë Shqipërisë do të njihet nëse është lëshuar nga një vend anëtar i Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), në përputhje me aneksin 1 të Konventës së Çikagos.

“Kontrollorët e trafikut ajror pajisen me licencë nga AAC-ja. Kërkesat, kriteret dhe procedurat për licencimin përcaktohen me rregullore të miratuar me urdhër të ministrit përgjegjës për transportin. 3. Licenca sipas pikës 2 të këtij neni, lëshohet vetëm kur aplikanti për licencë demonstron se ai/ajo përmbush kërkesat thelbësore, që lidhen me njohuritë teorike, aftësitë praktike, aftësitë gjuhësore, përvojën, dhe procedurat e përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave”, thuhet në ligj.

Urdhri për njohjen e licencës:

Përjashtimisht për situatën emergjente të krijuar në shërbimet e lundrimit ajror, në kushtet e mungesës së personelit rezervë të licencuar për ofrimin e këtij shërbimi, deri në një urdhër të dytë, pika 4, e nenit 2, të urdhrit të ministrit nr. 91, datë 21.2.2019, “Për miratimin e rregullores për përcaktimin e kërkesave teknike dhe të procedurave administrative, në lidhje me licencat dhe certifikatat e kontrollorëve të trafikut ajror”, ndryshohet si më poshtë:

-Për kontrollorët e trafikut ajror, që synojnë të ofrojnë shërbime të trafikut ajror në hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë, pranë ofruesit të shërbimit të lundrimit ajror të Republikës së Shqipërisë, por që vendi kryesor i operimit dhe zyra e tyre e regjistrimit (nëse kanë), ndodhet jashtë territorit ku aplikohet kjo rregullore (ose ekuivalentja e saj në BE), do të njihet licenca e tyre, kur ata mbajnë një licencë të kontrollorit të trafikut ajror të lëshuar nga një vend anëtar i Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), në përputhje me aneksin 1 të Konventës së Çikagos. Me njohjen e licencës, këta kontrollorë konsiderohen të licencuar, në përputhje me paragrafin 1 të kësaj rregulloreje. Detyrat dhe funksionet e caktuara për kontrollorët e trafikut ajror të referuar në nënparagrafin e parë nuk do të tejkalojnë privilegjet e licencës së lëshuar nga vendi i tretë, jashtë ZPEA-së, sipas përcaktimeve të marrëveshjes shumëpalëshe.

– Autoriteti i Aviacionit Civil të realizojë njohjen e licencave, sipas aneksit 1 të Konventës së Çikagos,.

– Ngarkohet Autoriteti i Aviacionit Civil për ndjekjen e zbatimit të këtij urdhri. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në Fletoren Zyrtare.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu