Ministrja gjermane e Evropës, Anna Lührmann, viziton sot për herë të parë Shqipërinë.
Politikania e gjelbër dje ishte në Shkup ku u takua me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Perandovski, kryeministrin e emëruar, Dimitar Kovaçevski (LSDM), zëvendëskryeministrin e emëruar, Bojan Mariçiq, ministrin e jashtëm, Bujar Osmani (BDI), si edhe me përfaqësues të shoqërisë civile.
Në Shqipëri, ministrja e re gjermane do të takohet sot me kryeministrin Edi Rama dhe me zëvendësministren e jashtme, Megi Fino. Veç përfaqësuesve të shoqërisë civile, ministrja do të takohet edhe me Albert Hanin, kryetarin e Byrosë Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO).
Në qendër të bisedimeve do të jetë integrimi i Shqipërisë në rajon si edhe reformat e brendshme. Sipas një deklarate të ministrisë së jashtme gjermane, Lührmann u shpreh para nisjes për çeljen e negociatave.
“Të dyja vendet i kanë plotësuar kushtet, prandaj duhet të fillojnë menjëherë konferencat ndërqeveritare. Ne e mbajmë fjalën. Për vijimin e rrugës drejt BE-së mbetet vendimtare që të vijojnë reformat dhe mirëqeverisja”, citohet në njoftimin e lartëpërmendur të ketë thënë ministrja të dielën në mbrëmje në Berlin. Në Tiranë, ministrja gjermane do të bisedojë edhe për rolin e Shqipërisë si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Lührmann mbetet kështu tërësisht në vijën e paraardhësit të saj, Michael Roth, nga Partia Socialdemokrate, i cili tashmë është kryetar i Komisionit Parlamentar për çështje të Bashkimit Evropian, Roth ia dorëzoi postin Lührmann-it, pas formimit të koalicionit të ri, kur Ministria e Jashtme gjermane kaloi në dorë të të Gjelbërve.