Miratimi i buxhetit për vitin 2025/ Kurti: Paga më të larta, pensione të rritura, mbështetje për bizneset

0

KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në rrjetin e tij social, Facebook, ka reaguar duke falenderuar deputetët pasi kuvendi ka miratuar projetkligjin për Buxhetin e vitit 2025.

Teksa theksoi se është 9% më i lartë se ai vitit paraprak, Kurti tha se ky është buxheti me pagat më të larta për të punësuarit publik. Sipas tij, ky buxhet është i qytetarëve të vendit, pasi iu shërben të gjithëve, për ta rritur mirëqenien e për ta zhvilluar ekonominë.

Në fund, Kurti shprehet i bindur se do jetë kryeministër edhe pas 9 shkurtit, duke thënë se ky do të jetë buxheti i parë për mandatin tjetër.

Postimi:

”Buxheti 2025 me 3.6 miliardë euro, u miratua sot në Kuvend, dhe është për rreth 9% më i lartë sesa buxheti i vitit paraprak, ose 60% më i lartë sesa në 2020 e 50% më i lartë sesa në 2021 (vite këto kur isha kryeministër me buxhete të trashëguara të pararendësve).

Ky buxhet përmban paga më të larta për të gjithë të punësuarit në sektorin publik, pensionet e rritura me 20%, si dhe shtesat e fëmijëve gjithashtu të rritura.

Përmban edhe mbështetjen për bizneset, për gratë ndërmarrëse e të rinjtë që nisin karrierën. Edhe bujqit do të vazhdojnë të jenë më të mbështeturit në rajon.

Ky buxhet është i qytetarëve dhe për qytetarët e vendit. Është buxhet për ta rritur mirëqenien e për ta zhvilluar ekonominë.

Falënderoj secilin deputet e secilën deputete për votën e tyre mbështetëse. Ky është buxheti i katërt që po e miratojmë në Kuvendin e Republikës, e do të jetë i pari për mandatin që na pret. Çdoherë e më shumë, gjithnjë e më lart për të gjithë.

Urime të gjithëve!”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu