Kuvendi ka bërë një hap përpara drejt rishikimit të procedurave për dhënien e pasaportës shqiptare për shtetasit e huaj. Të mërkurën, Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe ai për Evropën e Punët e Jashtme miratuan projektligjin për disa ndryshime në ligjin nr. 113/2020 “Për shtetësinë”, një nismë e propozuar nga deputeti Taulant Balla.
Fokusi kryesor i projektligjit është amendimi i Nenit 9, i cili rregullon dhënien e shtetësisë shqiptare për personalitete të huaja me kontribute të veçanta. Sipas draftit të ri, një shtetas i huaj mund të fitojë shtetësinë pa përmbushur kushtet standarde (si koha e qëndrimit në Shqipëri apo njohuritë e gjuhës dhe historisë), nëse shteti shqiptar ka interes të posaçëm për shkak të aftësive, cilësive apo veprimtarisë së këtij individi. Kjo dispozitë zbatohet për profile të spikatura në fushat e arsimit, shkencës, artit, kulturës, ekonomisë dhe sportit.
Gjatë relatimit të nismës në komisione, deputeti Taulant Balla theksoi se këto ndryshime nuk nënkuptojnë një zgjerim të pakontrolluar të dhënies së shtetësive. Sipas tij, ligji i ri vendos rregulla më strikte dhe rrit kontrollin institucional mbi këtë proces.
Në të njëjtën linjë, zëvendësministrja e Brendshme, Silva Caka, e pranishme në seancat dëgjimore, sqaroi se nga ana praktike, projektligji i jep fund një përplasjeje aktuale të kompetencave mes Presidencës dhe Agjencisë për Hartimin e Programeve të Veçanta të Shtetësisë.
Në përfundim të dëgjesave, të dy komisionet parlamentare kaluan në procedurat e votimit.
Në Komisionin e Çështjeve të Brendshme (drejtuar nga Bledar Çuçi), relatori Ilir Pendavinji konfirmoi përputhshmërinë e draftit me Kushtetutën.
Në Komisionin e Punëve të Jashtme (drejtuar nga nënkryetarja Bora Muzhaqi), relatori Ervin Hoxha theksoi gjithashtu respektimin e procedurave ligjore.
Projektligji u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi në të dyja komisionet, duke i hapur rrugë votimit përfundimtar në seancën plenare të Kuvendit.





