Mirlinda Karçanaj para SPAK: Vijojnë hetimet për tenderat e AKSHI-t

0

TIRANË – Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj, është paraqitur sot në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, në kuadër të hetimeve që SPAK po zhvillon për tenderat e shpërndarë nga AKSHI gjatë viteve të fundit.

Karçanaj mbërriti në SPAK e shoqëruar nga një grua që dyshohet të jetë avokatja e saj, ndërsa pritet që pyetja e saj të lidhet me procedurat e kontraktimeve publike të institucionit.

AKSHI konsiderohet prej kohësh një nga institucionet më të debatuara në vend përsa i përket transparencës dhe integritetit të tenderave në sektorin e teknologjisë së informacionit. Skandalet e njëpasnjëshme kanë përfshirë cënimin e të dhënave personale të qytetarëve, dyshime për shfrytëzim të këtyre të dhënave në funksion të interesave politike, si dhe kontrata me vlera të larta të dhëna kompanive të caktuara.

Ndër to, kompania “Soft & Solution” përmendet si një ndër përfitueset kryesore të kontratave publike në fushën e IT-së. Emri i përfaqësuesit të saj, Beqiri, u bë i njohur për publikun në vitin 2021, kur ai u thirr si ekspert në procesin gjyqësor ndaj Ilir Metës në Gjykatën e Lartë, ndërsa në të njëjtën kohë mbante detyrën e drejtorit të IT-së në Universitetin e Tiranës.

Hetimet e SPAK pritet të hedhin dritë mbi mënyrën e funksionimit të kontratave të AKSHI-t, përfshirjen e kompanive private dhe përgjegjësitë institucionale që lidhen me përdorimin e fondeve publike.