Misteri i sendeve personale të efektivit që vdiq në “Infektiv”

0

 

Mbetet mister humbja e sendeve personale të efektivit të Anti-drogës Florian Pema, që në 20 nëntor humbi jetën në Spitalin Infektiv nga Covid-19. Një javë pas ndarjes nga jeta, bashkëshortja Valbona denoncoi në komisariatin numër 4 se i kishin marrë sendet.

Një muaj pas këtij denoncimi ende nuk ka të dhëna se kush mund t’i ketë marrë ato. Kanë humbur portofoli me një shumë parash, dokumentet e identifikimit si dhe disa fotografi.

Në dëshminë e saj, Valbona kërkoi se sendet e Florianit donte ti ruante si një kujtim të çmuar.

Policia referoi rastin në Prokurori. Me anë të një shkrese zyrtare i kërkoi informacion drejtorisë së Spitalit Infektiv dhe morgut të kryeqytetit.

Në përgjigjen e marrë nga Infektivi, thuhet se 3 qeset me rroba e veshmbathje të Florianit i janë dorëzuar familjarëve.

Ata thonë se Floriani pasi është transportuar nga pavioni Infektiv në Reanimacion, kishte vetëm aparatin celular dhe karikusin.

Drejtoria e spitalit ka thënë se nuk kishin mbajtur asnjë procesverbal për sendet personale të efektivit. Ndërsa në përgjigjen e kthyer nga morgu, thuhet se spitali nuk u ka dorëzuar asnjë send personal të viktimës.

Pavarësisht se ka nisur hetimet, prokuroria dhe policia nuk kanë marrë në pyetje asnjë nga mjekët apo personel të morgut.abcnews