Vijon të mbetet e rrethuar nga misteri vrasja e biznesmenit italian Edoardo Sarchi, e ndodhur në Tepelenë ditën e djeshme.
Policia e Gjirokastrës ka liruar të gjithë personat e shoqëruar lidhur me ngjarjen, mes tyre edhe pjesëtarët e familjes Barçe, të cilët u mbajtën disa orë nën hetim. Burime jozyrtare bëjnë me dije se mungesa e provave çoi në vendimin për lirimin e tyre.
Sipas të njëjtave burime, dyshohet se është një person i jashtëm ai që ka qëlluar në drejtim të dy automjeteve, duke shkaktuar vrasjen. Ky person mbetet ende në kërkim nga policia. Dëshmitë e të shoqëruarve dhe personave të pranishëm në vendngjarje kanë ndihmuar në zbardhjen e disa rrethanave të krimit, i cili tronditi opinionin publik dhe ngriti disa pista hetimi.
Ngjarja ndodhi pas mesnatës së të premtes, në një zonë të quajtur “Dilan”, midis fshatrave Nivicë dhe Salari. Trupi i pajetë i Sarchit u gjet me një plagë në kokë, ndërsa ai thuhej se ndodhej për gjah së bashku me katër persona të tjerë. Mes tyre ishte ortaku i tij në biznes, Eqrem Braçi, si dhe dy djemtë e këtij të fundit, Gazmenti dhe Danieli. Të tre u shoqëruan nga policia për të dhënë dëshmitë, ndërsa identiteti i personit të katërt mbetet ende i paqartë.
Viktima, Edoardo Sarchi, jetonte dhe punonte në Shqipëri prej më shumë se 20 vitesh, ku drejtonte një fabrikë të madhe tullash në Tiranë.





