TIRANË- Çështja e zhdukjes së Ervis Martinajt dhe përfshirja e ish-efektivit Jeton Lami ka ‘dërguar’ krerët më të lartë të Policisë së Shtetit të zhvillojnë një takim në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Një takim i fshehtë është mbajtur gjatë ditëve të fundit në SPAK, por nuk ka ende detaje lidhur me çfarë është diskutuar nga palët lidhur me zhdukjen më të bujshme të viteve të fundit në Shqipëri. Mendohet që të jetë kërkuar marrja e dosjes për hetim nga SPAK, pasi tani është në duart e hetuesëve të Kurbinit.
Ndërsa Jeton Lami, personi që pa i fundit Martinajn, nga burgu i Shën Kollit, ku po vuante masën e sigurisë “arrest me burg”, është sjellë tek “302” në Tiranë.
Ervis Martinaj, biznesmeni i lojërave të fatit ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 8 gusht, ai u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi.
Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama. Ndërsa dje paralajmëroi edhe zhvillime, duke u shprehur se Policia e ka që sot një përgjigje, shumë shpejt do kemi prova.