Mjekohej në fshehtësi. Arrestohet i dyshuari dhe dy mjekët për vrasjen e dy biznesmenëve

0

Eduart Lama, është i arrestuari nga policia si autori kryesor i vrasjes së dy biznesmenëve në Laç. Kjo është konfirmuar edhe nga policia.

Gjithashtu kanë rënë në pranga dy mjekët me iniciale V. M., 42 vjeç dhe B. L, 46 vjeç, pasi mbrëmjen e djeshme kanë kuruar Lamën ilegalisht në një klinikë private, duke mos njoftuar policinë.

Kujtojmë se më parë është arrestuar Kreshnik Tusha pasi gjatë atentatit po ashtu u plagos nga një prej viktimave.

Në fakt objektiv i atentatit ishte Bujar Lika, i cili njihet dhe si njeri i afërt me Ervis Martinajn, por autorët e lanë të vdekur edhe pse ai plagosi një nga autorët, që rezultoi të ishte Kreshnik Tusha. Paulin Marku u plagos në hollin e hotelit dhe rrugës për në spital ndërroi jetë.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Klinika”.

Operacioni nga DVP Lezhë dhe Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë.

Zbardhet vrasja e dyfishtë e ndodhur në Kurbin, në orët e mbrëmjes së datës 30.05.2020.

Kapet dhe vihet në pranga autori kryesor i vrasjes së dyfishtë, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese, e kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Identifikohen dhe shpallen në kërkim dhe tre bashkëpunëtorët në vrasje

Gjithashtu, gjatë operacionit janë vënë në pranga edhe dy mjekë që mjekonin ilegalisht autorin e vrasjes në një klinikë private në Tiranë.

Në vijim të punës profesionale dhe hetimore të bërë nga grupi i posaçëm hetimor, i ngritur me specialistë nga Drejtoria për Krimet Kundër Personit në Departamentin e Policisë Kriminale, specialistë të DVP Lezhë dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, bazuar në informacionet e marra, në bashkëpunim me DVP Tiranë, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Klinika”.

Në kuadër të operacionit u kap në një klinikë private në Tiranë, shtetasi E. L., 30 vjeç, banues në Laç, i cili gjatë kryerjes së krimit ku mbetën të vrarë shtetasit B. H.,37 vjeç dhe P. Gj.,53 vjeç, si dhe u plagos shtetasi K. T., 21 vjeç, pati shkëmbim zjarri dhe për pasojë u plagos në këmbë edhe ky shtetas, i cili po mjekohej ilegalisht në një klinikë private në Tiranë.

Po gjatë operacionit u vunë në pranga dy shtetas, mjekë në klinikën në të cilën mjekohej autori i vrasjes, konkretisht shtetasit V. M., 42 vjeç dhe B. L, 46 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Vijon puna, nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, si dhe për kapjen dhe prangosjen e tre bashkëpunëtorëve të shpallur në kërkim.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu