Një problematikë që paraqiti një sipërmarrëse sot gjatë takimit elektoral e bëri kryeministrin Edi Rama që t’i drejtohet me kritikë kryebashkiakut të Elbasanit, Gledian Llatja.
Duke premtuar se çështja në fjalë do zgjidhet në Shtator, Rama ironizoi duke thënë se “detyrën e tij si drejtues bashkie e ka përfunduar në 2011-ën…dhe jo në Elbasan”.
Sipërmarrësja: Nuk kemi njerëz sot. Ne ua japim 1 mijë euro dhe më shumë, por nuk kemi cilësinë e duhur. Si qytetare, kam 10 vite në Shqipëri sepse kam jetuar 25 vite në Itali. Kam punuar si edukatore, kam punuar me njerëz me aftësi ndryshe. Kemi bërë aktivitete të ndryshme, ne kemi një nga shkollë “Zëra Jete”, që është ndër të paktat shkolla në Shqipëri ku janë mbi 63 fëmijë me aftësi ndryshe. Ata aktualisht janë te Muzeumi, që është ndër më të rëndësishmit në nivel kombëtar dhe jo vetëm. Unë ju ftoj që të vini një mëngjes dhe të shikoni se si ngjiten ata fëmijë në ato shkallë me ato mësueset heroina, është e patolerueshme që Shqipëria është gati të hyjë në BE dhe kushtet që aktualisht kanë ato fëmijë…Këta fëmijë të cilët i kemi analizuar një nga një, në të ardhmen mund të bëhen me të aftë se ne dhe këtë e them me fakte.
Edi Rama: Sa i përket parkimit nëntokësor…Unë e kam mbaruar detyrën time si kryetar bashkie në 2011-ën dhe nuk e kam pasur në Elbasan, këtu kemi një kryetar që sa herë më sheh mua ka një buzëqeshje heroike. Që duhet ta marrë në konsideratë këtë gjë, por ama nga ana tjetër kemi bërë një program kombëtar për të mbështetur bashkitë për parkimet, madje do angazhojmë edhe arkitetkë të huaj për objekte të bukura, jo si depo makinash. Për atë që thatë për fëmijët, s’e kuptova këtë punën e shkallës. (I drejtohet Llatjas) Ç’a do më thuash ti tani, s’ke çfarë më thua ti tani. Pse më shkel syrin?! S’ke çfarë më thua…Ç’a do më thuash ti tashi?! Ti duhet ta kishe bërë që të mos vinte dita të ma thoshte ajo mua, tani që ma tha ajo, s’ma thua dot ti! A e kupton? Ti duhet ta kishe bërë.. Mirë, mirë në Shtator do e zgjidhësh? Të ka thënë kryetari i bashkisë që do e zgjidhë në Shtator? Jo mor jo, ai u rri punëve mbi kokë, problem është a i mbaron apo vetëm ju rri mbi kokë? Ëëë? Këtej kokën ti, mos e shih atë, mos i bëj presion me shikim asaj! Të ka thënë që do e zgjidhë në Shtator apo e dëgjove tani?! Tani e dëgjove, po mirë! Ata duhet të shkojnë në një vend tjetër. Do lirohet në Shtator mjedisi dhe do zgjidhet. Në Shtator do më njoftoni dhe unë do falenderoj kryetarin e bashkisë, ose në të kundërt do shkojmë bashkë te kryetari.