“Mos ngatërroni interesin ekonomik me miqësinë”, Skënder Brataj në debat publik me botuesin e Ismail Kadaresë: Ai nuk është prona juaj

0

Ceremonia e përurimit të shtatores së shkrimtarit Ismail Kadare në kafenenë “Juvenilja”, më 28 janar, në ditën e 90-vjetorit të lindjes së tij, ka nxitur reagime publike mes botuesit Bujar Hudhri dhe mjekut Skënder Brataj.

Në një postim të gjatë, botuesi Bujar Hudhri ka ndarë kujtime personale dhe profesionale nga bashkëpunimi shumëvjeçar me Ismail Kadarenë, si dhe reflektime mbi ceremoninë e përurimit të shtatores, vepër e skulptorit Henri Mimani.

Hudhri përshkruan momentet e ceremonisë, fjalën e mbajtur nga drejtuesi i saj dhe ndjesitë personale që, sipas tij, e penguan të shprehte gjithçka kishte menduar për shkrimtarin.

Postimi përfshin gjithashtu kujtime nga kafeneja “Juvenilja”, e cilësuar prej tij si vendi i preferuar i Kadaresë në Tiranë, ku janë shkruar dhe përpunuar pjesë të rëndësishme të veprës së autorit, si edhe episode nga marrëdhënia botues-shkrimtar gjatë dekadave të bashkëpunimit.

Pas këtij postimi, mjeku Skënder Brataj ka reaguar publikisht me një shkrim kritik ndaj Hudhrit.

Brataj kundërshton qëndrimet dhe vlerësimet e shprehura nga botuesi lidhur me ceremoninë dhe figurën e Kadaresë, duke theksuar se amaneti i shkrimtarit për “mbrojtjen” e tij pas vdekjes ishte drejtuar, sipas tij, intelektualëve dhe shoqërisë shqiptare në tërësi.

Në reagimin e tij, Brataj shpreh pakënaqësi për rolin e Hudhrit në ngjarje të ndryshme publike të lidhura me Kadarenë, përfshirë ceremoninë e vendosjes së shtatores dhe aktivitete përkujtimore pas ndarjes nga jeta të shkrimtarit.

Postimi te Juvenilja

Te “Juvenilja”, në kafenenë e preferuar të Kadaresë, më 28 janar, ditën e 90-vjetorit të lindjes, u përurua statuja e shkrimtarit, vepër e skulptorit Henri Mimani. E gjithë ceremonia u drejtua nga një mjek i nderuar, i cili tani është edhe mik i familjes Kadare. Ai e zbuloi statujën, mbajti fjalën e rastit, të cilën e mbylli me deklarimin se shkrimtari u paskësh lënë amanetin: “Më mbroni kur të mos jem.”

Ndërsa dëgjova këtë kinse amanet, më vetiu në kokë mendimi se, pikërisht në mesnatën e diktaturës, kur të ikte koka, Kadareja kishte guxuar të ishte aq trim sa të shkruante dhe të arrinte të botonte “Pallatin e ëndrrave”. Dhe ishte krejt i vetëm, i pambrojtur, shkruan zonja Kadare në kujtimet e saj. Askush nuk iu gjend pranë, përveç dashurisë së jetës së tij, Helenës. Dhe e mbrojti vetëm talenti i tij i jashtëzakonshëm, vepra e tij gjeniale, që ishte bërë ndërkohë pronë e thesarit botëror.

Dhe diktatura nuk guxoi t’i prekte një fije floku!

Kur më erdhi radha të flisja, e ndjeva që kjo thënie më kishte nxjerrë nga binarët, më kishte pushtuar një ndjenjë mallëngjimi. Kadareja në bronz m’u duk kaq i largët dhe u ndjeva i vetmuar. Më solli në vete pamja që kisha përballë, ai grumbull i bukur dhe i heshtur i njerëzve, miqve të vërtetë të Kadaresë, që e kishin shoqëruar shkrimtarin tim të dashur në vitet kur unë nuk isha pranë tij. I shihja të thinjur, të plakur, të trishtuar. Pastaj befas ndjeva gëzim, admirim, në sytë e tyre, por unë pothuaj e humba dhe m’u duk se nuk i thashë dot fjalët që kisha në mendje dhe zemër për njeriun e shenjtë të jetës sime njerëzore dhe profesionale.

Nuk e mbaj mend saktësisht se kur jemi ulur për herë të parë te “Juvenilja”. Në vitet e para gjithnjë shkonim në bar-restorant “Piaza”, që ishte pronë e mikut të tij shqiptaro-amerikan, zotit Ekrem Bardha. E preferonte atë kafene, sidomos kur uleshim jashtë (Kadareja vinte në Tiranë në pranverë dhe në vjeshtë) dhe ishte plot me njerëz. Vazhduam të frekuentonim atë kafene derisa nga viti 2000 Kadareja bleu një apartament në Sky Tower. E pëlqente shumë atë apartament, derisa përballë dritareve të tij u ngrit një godinë, e cila përfundimisht ia mbuloi pamjen e malit të Dajtit. Në ish-Bllok gjetëm një kafene shik. Kishte edhe një emër shik: “Davidoff”. Më vonë këtë kafene e përshkroi në poemën e tij të fundit, Tirana në dimër. Nuk mbaj mend sa vazhduam aty, veç kur një stinë tjetër u gjendëm në kafene tjetër, me një emër që i pëlqente, “Princ Park”. Mes gjelbërimit, luleve, shërbimit të kamerierëve, vazhduam në këtë kafene derisa një ditë më tha: “Eja dalim një shëtitje, ngecëm këtu. Lëre makinën ta marrë shoferi.” Dhe kështu, një ditë të bukur pranvere, nëpërmes pemëve, ecëm derisa arritëm te një rrugë e asfaltuar. Ecëm, ecëm. Ishte teposhtë dhe këmbët lëviznin kollaj, kur befas u gjendëm përballë një kafeneje me tavolina jashtë dhe një godinë imitim i një kështjelle. U ulëm. E pashë që u mahnit. Do edhe një ekspres tjetër, i thashë. Jo, vetëm një shishe uji dua. Pastaj… lavdëro kafenenë, kritika mua. Po si nuk e dije këtë kafe? Sa i humbur je. Më duket se je ende në Elbasan, kot thua që banon në Tiranë!

Kështu “Juvenilja” u bë kafeneja e preferuar e tij. Ishte sikur “Rostand” i Parisit. Por “Juvenilja” jonë është ku e ku më e bukur, e ngacmoja. Në kafenenë e tij në Paris kishte një ritual, ku shkruante çdo ditë. Ndërsa te “Juvenilja” vetëm pinte kafe. Mbaj mend, në një intervistë për New York Times, tha se në kafenenë parisiene shkruante, por në Tiranë këtë nuk e bënte dot, sepse të gjithë e njihnin. I thashë një ditë me shaka: mos e keni problem se mund t’ju vjedh ndonjë motiv, unë s’jam shkrimtar dhe s’kam për të qenë. Ashtu, s’e dija, ma ktheu me shaka.

U gjend një kthinë brenda kështjellës “Juvenilja”, e cila u bë studioja e vërtetë e tij. U mësuan të gjithë kamerierët, të cilët, pa folur fare ne, e sillnin ekspresin e gjatë për Kadarenë. E gjerbte dy-tri herë, e linte mënjanë. (Mërzitej shumë kur kamerierët e vëmendshëm tentonin t’ia largonin filxhanin. E donte aty, në tryezë, si një objekt.) Pastaj, menjëherë, kapte një nga stilolapsat dhe fletët e bardha që i sillja. Mos më sill më shumë se ç’duhet, më porosiste. (Siç duket, fleta e bardhë, e pashkruar, e shqetësonte, sepse i dukej se nuk e kishte kryer detyrën.)

Janë shkruar këtu te “Juvenilja”, si edhe vazhdimi në Malin e Robit, me qindra faqe letërsi, shënime, intervista. Më vjen ndër mend se si tryeza jonë nga fundi u zmadhua, sidomos kur shkroi Mosmarrëveshja dhe Kur sunduesit grinden. Dy libra që e sfilitën, që i mbajti gjatë në mendje dhe në tryezë. Nga tre vjet secili libër. Pa fund shënime, referenca, pak faqe të shkruara në ditë. Të nesërmen i shihja që u kishte vënë kryq kur i lexonte natën, deri në një pas mesnate. E shihje tek torturohej, por çfarë mund të bëja? Ah, ti s’më ndihmon fare, bënte shaka. S’je botues i mirë, por shofer, po. Je shofer shumë i mirë, pikë. Dhe unë që ia ktheja: e shikon sa i rëndësishëm qenkam? Të çoj te zonja Helena në krahë! Po për të botuar, boll ke botuar në 50 gjuhë. Harroje botuesin shqiptar, ka kush të lexon tani në gjuhët e botës.

Po për Kadarenë lexuesi shqiptar ishte më i dashuri! Aq i ndjeshëm ishte, sa mund të bëje sherr fare kollaj kur gjente ndonjë problem që mund të kishim me lexuesit në panaire apo në takime me ta. Dhe më kujtohet kur duhej të shkoja për një specializim në Amerikë, i ftuar USAID. Si koincidonte që, ndërsa Kadareja dhe zonja Helenë zbrisnin në Rinas, unë duhej të fluturoja për në Uashington. Isha në Elbasan në atë kohë dhe këtë ia thashë në telefon. Çfarë Amerike? ma ktheu. Tani ishe në Amerikë! (Në fakt, isha gati pesë vjet më parë.) Komunikova me mikpritësit, të cilët i shtynë edhe një javë biletat e avionit, hotelet. Jo, këmbënguli Kadareja, edhe më prerë. S’më mbeti rrugë tjetër, veç t’i shkruaja ambasadës amerikane se “për arsye pune” nuk vija dot në Amerikë. S’besoj se ndonjë bashkëkombës i ka dërguar ambasadës amerikane një letër të tillë!

Shumë vite më vonë (2025) do të shkoja në Amerikë. Dhe më kujtohet një thënie e Sami Frashërit ku thotë pak a shumë: “Thuhet se çdo punë ka kohën e vet, por koha e vërtetë e një pune është kur kjo punë fillon!” Në janar 2024, një ditë me shi si te Gjenerali i ushtrisë së vdekur, ndërsa ishim ngujuar brenda kështjellës “Juvenilja”, i thashë se tashmë, që kisha mbaruar edhe veprën e tij në shtatë vëllime, do të merrem me një punë të zakonshme, sepse ju s’po shkruani më. Ç’punë? u interesua seriozisht. Po ja, do të shpërndaj dhe do të shes libra nëpër Shqipëri. E pashë që u tensionua befas. E njoh mirë këtë kapërcim në biseda me të, kur nga s’e pret të vijnë rrufe. Ky është një mision i shenjtë, më tha me zë të lartë sa të tjerët kthyen kokën nga tryeza jonë. E ndjeva atë shikimin e tij zhbirues kur të duket sikur po të rrëshqet toka nën këmbë.

Aksioni im i shpërndarjes dhe shitjes së librave përfundoi pa asnjë rezultat. Tashmë libraritë nuk donin t’u çoje libra në sasi dhe me kredi. Librarët shqiptarë në rrethe porosisin me celular një libër, dy, tre. Isha shumë mbrapa, isha kujtuar vonë.

Kështu do të lindte ideja për një librari në Amerikë. Më vjen keq që nuk arriti të shihte se, më në fund, me një mikun tim shqiptaro-amerikan, Pashk Camajn, pikërisht në ditën e nëntëdhjetëvjetorit të lindjes së tij, hapëm librarinë online “Alblibris”, me libra fizikë, për të gjithë shqiptarët e Amerikës. Sa do të gëzohej, sepse, libraritë i kishte aq për zemër! Jam i sigurt se më bekon dhe uron nga lart. Dhe më kujtohet në këtë rast motra e tij, Kakuja, kur më thoshte: “Ismaili është shumë i mbarë. Kur ishte i vockël, çiftet e reja natën e parë e merrnin në dhomë për mbarësi!”

Nuk kanë të mbaruar kujtimet e mia me Kadarenë, por dua t’i mbyll sot me një fragment nga shënimi im si botues në veprën e parë të kolanës prej shtatë vëllimesh.

“Nuk ka fat më të bukur për një botues se të jetë i pranishëm në jetën krijuese të një shkrimtari si Kadareja, i cili i rishikon shkrimet e tij sa herë i jepet mundësia, me synimin e vetëm për t’i përmirësuar artistikisht e, sidomos, gjuhësisht. Gjatë tri viteve kur përgatitej kolana prej njëzet vëllimesh, ai lexoi kryekreje çdo libër të tij. Ndërkohë, në studion e tij, në kafenenë e preferuar, ndërsa ndjek nga afër ndryshimet, qortimet dhe përmirësimet që autori i shënon me dorën e tij mes rreshtave, në fund të tekstit apo anash faqeve të dorëshkrimeve të veprave të dikurshme, e ndihesh sikur ke qenë i pranishëm në kohën kur ato janë shkruar, para viteve nëntëdhjetë. Një mrekulli krejt tjetër ka qenë procesi i botimit të krijimeve të reja të autorit. Përherë, pasi dilnim nga bar ‘Juvenilja’, ecnim në natyrë, në Parkun e Madh te kodrat e liqenit, ai niste të tregonte vijimin e subjektit, të cilin ende nuk e kishte hedhur në letër. Si në një ëndërr, sheh si të shkasin nëpër gishtërinj grimca ari, po ashtu e ke të pamundur të fiksosh magjinë e fjalëve kur je ti i vetmi që po i dëgjon. Në ato orë të paharrueshme, sikur të mos ishin të kësaj bote, më pushtonte gjithmonë një ndjesi: sa do të doja t’ia përcillja në çast lexuesit gjithçka dëgjoja dhe përjetoja! Po si mund të arrihej kjo? Vërtet botuesi është një ndërmjetës midis autorit dhe lexuesit, por ai mund të bëhet edhe pengesë mes tyre. Nga përvoja tridhjetëvjeçare me një klasik të gjallë të letërsisë botërore, kam mësuar se si arti i botimit dhe i shtypit të kësaj kolane të bëhej i padukshëm, që lexuesi i tij shqiptar, i tanishëm dhe i ardhshëm, të dëgjonte përhershëm vetë jehonën e zërit të Kadaresë.”

Postimi i mjekut Skender Brataj

Hipokrizia e një botuesi si Bujar Hudhri!
Datë 1.02.2026 – Bujar Hudhri: “Fjalët që nuk i thashë dot në përurimin e Shtatores së Kadaresë te ‘Juvenilja’”
“Te ‘Juvenilja’, në kafenenë e preferuar të Kadaresë, më 28 janar, ditën e 90-vjetorit të lindjes, u përurua shtatorja e shkrimtarit, vepër e skulptorit Henri Mimani. E gjithë ceremonia u drejtua nga një mjek i nderuar, i cili tani është edhe mik i familjes Kadare. Ai e zbuloi shtatoren, mbajti fjalën e rastit, të cilën e mbylli me deklarimin se shkrimtari u paskësh lënë amanetin:
‘Më mbroni kur të mos jem.’
Ndërsa dëgjova këtë kinse amanet, më vetiu në kokë më erdhi mendimi se, pikërisht në mesnatën e diktaturës, kur të ikte koka, Kadareja kishte guxuar të ishte aq trim sa të shkruante dhe të arrinte të botonte ‘Pallatin e ëndrrave’. Dhe ishte krejt i vetëm, i pambrojtur, shkruan zonja Kadare në kujtimet e saj. Askush nuk iu gjend pranë, përveç dashurisë së jetës së tij, Helenës. Dhe e mbrojti vetëm talenti i tij i jashtëzakonshëm, vepra e tij gjeniale, që ishte bërë ndërkohë pronë e thesarit botëror.
Dhe diktatura nuk guxoi t’i prekte një fije floku!
Kur më erdhi radha të flisja, e ndjeva që kjo thënie më kishte nxjerrë nga binarët, më kishte pushtuar një ndjenjë mallëngjimi. Kadareja në bronz m’u duk kaq i largët dhe u ndjeva i vetmuar. Më solli në vete pamja që kisha përballë, ai grumbull i bukur dhe i heshtur i njerëzve, miqve të vërtetë të Kadaresë, që e kishin shoqëruar shkrimtarin tim të dashur në vitet kur unë nuk isha pranë tij. I shihja të thinjur, të plakur, të trishtuar. Pastaj befas ndjeva gëzim, admirim në sytë e tyre, por unë pothuajse e humba dhe m’u duk se nuk i thashë dot fjalët që kisha në mendje dhe në zemër për njeriun e shenjtë të jetës sime njerëzore dhe profesionale.”
Dr. Skender Brataj: Zoti Hudhri po të them fjalët që nuk kam mundur ti them këto pesë vite!
Kot nuk thonë se njerëzit duhet t’i vësh në provë për t’i njohur!
Është e dyta herë që zoti Bujar Hudhri, me hipokrizinë e vet, nxjerr fytyrën e vërtetë në dy evente solemne për ne shqiptarët në lidhje me Kadarenë!
Ai nuk njeh rregulla, mirësjellje, humanizëm, respekt për traditat, heshtje kur duhet apo edukatë qytetare. Ai njeh vetëm interes ekonomik.
Ditën e vdekjes së Kadaresë, në një moment delikat dhe solemn, ku heshtja, respekti dhe humanizmi duhet të përcillnin për në banesën e fundit gjeniun e letrave shqipe, një njeri i vogël, mjeran, për të spostuar vëmendjen drejt vetes, bëri deklaratën ku akuzonte Urgjencën Mjekësore që drejtoj, se ambulanca nuk kishte pajisje!
Ditën e djeshme shkruan se nuk mundi t’i thoshte fjalët që donte Kadaresë ditën që u vendos statuja (po ta dëgjonte Kadare fjalën “statujë”, të cilën ai e shkruante shqipërisht “shtatore”, nuk e di nëse zoti Hudhri do të gjente vend ku të futej).
Nuk i tha dot ato fjalë te “Juvenilja”, sepse ceremoninë e hapi një mjek i nderuar.
Zoti Hudhri citon: “Ndërsa dëgjova këtë kinse amanet, më vetiu në kokë mendimi se, pikërisht në mesnatën e diktaturës, kur të ikte koka, Kadareja kishte guxuar të ishte aq trim sa të shkruante dhe të arrinte të botonte ‘Pallatin e ëndrrave’”.
Amanetin e lënë nga Kadare për mbrojtjen e tij kur të mos jetë dhe të figurave kombëtare, ai e kishte shumë të qartë prej kohësh. Ai nuk ia la amanet Skënder Bratajt, por intelektualëve shqiptarë. Ku bëni pjesë edhe ju, zoti Hudhri?
Kadare e kishte të qartë luftën që filloi kundër figurave kombëtare, prandaj këshillonte:
“Figurat kombëtare duhen mbrojtur, sepse ato janë pasaporta morale e një populli; pa to, kombi varfërohet në dinjitet.”
“Kadare na paralajmëronte se denigrimi i figurave kombëtare është një armë e vjetër kundër kombeve të vogla dhe më e rrezikshmja është kur këtë punë e bëjnë vetë njerëzit e vendit, me zell të çuditshëm”, sidomos në Shqipëri.
Ky ishte amaneti, zoti Hudhri, dhe këto amanete i ka dëgjuar edhe familja e tij që ishte prezente! Ju duhet të jeni i pari për ta mbrojtur, sepse ju sjell ende fitime financiare, mos harroni.
Të kishte nxjerrë nga binarët ajo thënie sepse ju nuk shikonit dot njeri afër Kadaresë. Juve ju qeshi fytyra kur ngritët kokën dhe patë rreth e rrotull miqtë e tij! Pse?
Është e vërtetë që u çelët, që buzëqeshët, sepse shumë prej miqve të tij nuk i lije të afroheshin të pinin kafe me të kur ai ishte gjallë. Ju qeshët sepse tani e di që nuk e takojnë dot më Kadarenë!
Të kujtohet ajo ditë që erdhi ai zotëria aty te “Juvenilja” dhe i kërkoi zotit Kadare të hapte një librari me emrin KADARE në Gjirokastër dhe në Fier? Të kujtohet kur Kadare i tha po? Ju e sulmuat, e ofenduat dhe e poshtëruat me gjithë ato epitete, se ai nuk mund të bënte një gjë të tillë, se nuk ishte në gjendje, e motive të tjera të ulëta që i përsërite atë ditë.
Ai zotëri më bëri shumë përshtypje me qetësinë e vet; nuk t’u përgjigj, nuk ju ofendoi, përshëndeti dhe iku. Nëse nuk ju kujtohet, po jua them që ta sjellë në ndonjë shkrim ai zotëria. Ndoshta erdhi momenti që ai ta hapë atë librari! Atë ditë Kadare nuk ju foli më, të paktën derisa ikëm nga Juvenilja.
Ju dje shkruani: “Më vjen keq që zoti Kadare që nuk arriti të shihte se, më në fund, me një mikun tim shqiptaro-amerikan, pikërisht në ditën e nëntëdhjetëvjetorit të lindjes së tij, hapëm librarinë online ‘Alblibris’, me libra fizikë, për të gjithë shqiptarët e Amerikës. Sa do të gëzohej, sepse libraritë i kishte aq për zemër!”
Ju nuk lejuat të hapej në shtëpinë e tij në Gjirokastër libraria me emrin e vet, nuk ju lejuat shqiptarëve të Shqipërisë dhe trojeve tona këtë mundësi, nuk di deri ku arrin hipokrizia.
Ju patët fatin të jeni botuesi i tij, prandaj mos ngatërro interesin personal, ekonomik me miqësinë! Unë pata fatin, edhe pse me vonesë, të jem mik i tij dhe i familjes, por isha prezent gjithmonë.
Të kujtohet te “Juvenilja”, kur më thoshe se nuk i lë të afrohen njerëzit (edhe miqtë e tij), sepse nuk paguajnë as kafen e tyre?
Pikërisht sepse nuk shikoje dot miq afër Kadaresë, sepse e konsideroni pronën tuaj!
Kjo është mënyra juaj: t’i sulmoni miqtë e tij, t’i ofendoni dhe t’i zvogëloni sipas kandarit tuaj. Para teje nuk mund të dalë askush, por harron që ne nuk jemi botues, jemi miq të Kadares.
Zoti Hudhri, Kadare nuk është prona juaj. Është i shqiptarëve, i përket letërsisë botërore.
Kur pashë titullin e artikullit tuaj ditën e djeshme, mendova se më në fund do të thoshit ndonjë gjë me sens, do të ngrinit ndonjë shqetësim.
Së pari, zoti Hudhri, ju e dinit që miqtë e Kadaresë po përpiqeshin të gjenin fondet për një shtatore për ta vendosur te “Juvenilja”. Ju kishit gjashtë muaj që kishit në telefonin tuaj fotografitë e dërguara nga miqtë e vërtetë të tij, por nuk u afruat, nuk u shqetësuat për asnjë detaj, për ta parë para se të derdhej në bronz, para se të zgjidhej vendi ku do të vendosej, si do të vendosej, kush po merrej dhe po organizonte të gjitha këto veprime, në kohë, në lekë, në lodhje dhe diskutime.
Me çfarë kuraje doje të flisje para miqve të tij (ata që të dhanë mundësinë të flisje thjesht sepse ishe botuesi, jo sepse e meritoje)? Por ju e dini shumë mirë pse nuk morët pjesë në këtë event të miqve të Kadaresë. Kishit frikë se mos paguanit ndonjë qindarkë apo jo? Ju qëndruat anonim për të mos paguar. Miqtë e Kadares që kontribuan preferuan të rrinë anonim, sepse nuk kishin nevoj për tu dukur. Njëri prej tyre thotë: Nuk është Kadare që ka nevoj për ne, jemi ne që kemi nevoj për Kadaren. Ka shumë të drejtë.
Ne, miqtë e tij, ju ftuam edhe në njëvjetorin e vdekjes së tij, ku përsëri nuk pyetët kush e organizoi dhe kush pagoi. Ju çfarë keni organizuar që nga vdekja e tij zoti Hudhri?
Mendova se, më në fund, si botues, si intelektual, si shqiptar, atje para miqve të tij që ju sollën buzëqeshjen kur i pe, para shtatores së tij, të kishe kurajon për të thënë:
“Sot përkujtohet 90-vjetori i lindjes së shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare në Francë, sot vendoset një pllakë përkujtimore në shtëpinë ku jetoi 34 vite si anëtar i Akademisë së Francës.”
Mendova se do të thonit: Si është e mundur që në këtë ditë të shënuar, në Shqipëri dhe trojet shqiptare, pas një viti e gjysmë nga vdekja e tij, në 90-vjetorin e lindjes, nuk ka një emërtim sheshi, rruge apo institucioni me emrin e Kadaresë, nuk ka së paku një shtatore në Tiranë apo Gjirokastër, nuk ka një librari me emrin Kadare?
Ah po, harrova: është hapur online “Alblibris”, jo “Kadare”!
Amaneti që ai la i referohej kësaj zbrazëtie kombëtare që na ka pllakosur, babëzisë se si të fitohen vetëm lekë.
Kurajon e kanë miqtë e vërtetë, ata që dhanë një sinjal në 90-vjetorin e lindjes së tij, ata që dinë kush është vendi i figurave të kombit, pjesë e padiskutueshme e të cilëve është Kadare.