Vlora është përfshirë nga moti i keq gjatë paradites së kësaj të mërkure.
Reshjet intensive të shiut kanë sjellë probleme me prezencën e ujit në disa akse në qytet.
Zonat me risk të lartë si Albano dhe Romina, zona pranë Bibliotekës publike të Vlorës, zona e Skelës dhe pranë shkollës “Halim Xhelo” kanë prezencë të shtuar të ujit.
Banorët shprehet të shqetësuar për situatën dhe thonë se kjo vijon prej 20 vjetësh. Njëra nga banoret i bën apel kryebashkiakut të shikojë situatën.
“Vetëm të hipim me avion ku ka rrugë shiko si janë bërë, taksat tatimet i paguajmë . Ç’ faj kemi pa pension jemi, me rematizëm jemi. 10 sekonda shi qenë, ku është kryetari i bashkisë, çfarë bën? Ka 20 vjet që ne këtë punë bëjmë. Ujërat e zeza sheshit. S’kemi ku të kalojmë. Ku të kalojmë, ja shikoni faktet. Nuk dua të di për parti unë. Shiko çfarë bëhet. Nuk e shikon kryetari i bashkisë kur kalon?”, tha ajo.

Ndërsa një tjetër thotë se pak minuta shi e përmbytin Vlorën dhe s’kanë ku të kalojnë.
“Të lënë ndonjë gomone të kalojmë. Radhën e kaluar uji deri këtu u mbyllën bizneset. Pak shi, mbytet Vlora”.

Ndërkohë, për shkak të motit, konfirmohet që pezullimi i lundrimit do të vijojë edhe gjatë ditës së sotme.