Muaji i festave dhe zgjedhjeve në Kosovë/ Emigrantët që po kthehen në vendlindje, krijojnë fluks në doganën Shqipëri- Kosovë

0

KOSOVË- Pikat doganore kufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës duket se po përballen gjithashtu me një fluks të lartë të emigrantëve kosovarë që po kthehen në vend për festat e fundvitit. Që prej mëngjesit të sotëm, janë regjistruar radhë të gjata automjetesh, duke qënë se shumë emigrantë po vijnë nga vendet e Evropës.

Fluksi i shtuar lidhet jo vetëm me festat e fundvitit, por edhe me zgjedhjet me 28 dhjetor, duke lënë të kuptohet se një pjesë e emigrantëve kosovarë kanë zgjedhur të vijnë për të ushtruar të drejtën e votës fizikisht. Policia Kufitare e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën e pikës kufitare të Vërmicës, po punon për të përshpejtuar në procesin e procedurat doganore, për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve.

Ndërkohë, autoritetet e Vermicës paralajmërojnë se fluksi pritet të jetë në rritje edhe në ditët në vazhdim. Një rritje e ngjashme e lëvizjeve pritet edhe në ditët e para të vitit 2026, kur emigrantët kosovarë do të kthehen drejt vendeve evropiane ku jetojnë dhe punojnë.