SHKODRA- Lazër Pashuku, vëllai i të arrestuarit Alehandro Pashuku dhe të shpallurit në kërkim Kristjan Pashuku dhe babai i tyre Aleksandër Pashuku hedhur poshtë faktin se një i mitur afgan është mbajtur me forcë në punë në servisin e tyre. Pronarët e servisit ku u gjet afgani tregojnë se ai ka qenë tërësisht i lirë dhe ka lëvizur në gjithë qytetin i vetëm ose bashkë me punonjësit e tjerë sipas dëshirës.
Ata shprehen se e kanë takuar rastësisht në një lokal aty afër dhe e kanë marrë për ta ndihmuar duke qenë se ishte i uritur dhe i pastrehë. Ata shtojnë se afgani u ka thënë se është 19-vjeç dhe jo 16 dhe se ai ka komunikuar lirisht çdo natë me familjen e tij. Lazër Pashuku shprehet se të gjithë këtë afgani e ka bërë me qëllimin për të kërkuar azil dhe për t’u larguar tek familja e tij në Greqi.
Pronari tregon se ka dashur ta ndihmojë që të largohet drejt Greqisë duke i dhënë para dhe ushqime për rrugën por sipas tij afgani i ka kërkuar që të qëndrojë edhe dy muaj të tjerë për të punuar. Po ashtu babai i vëllezërve Pashuku, Aleksandër Pashuku shprehet se i ka hapur dyert e shtëpisë së tij duke fjetur aty dhe duke e trajtuar njësoj si djemtë e tij.