NAFTA BIE NDJESHËM/ Shpresat për paqe SHBA-Iran ulin tensionet dhe çmimet globale

0

Çmimet botërore të naftës kanë rënë ndjeshëm, ndërsa tregjet aziatike janë rritur pas sinjaleve për një marrëveshje të mundshme paqeje mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se negociatat janë drejt finalizimit, ndërsa investitorët shpresojnë për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme energjetike në botë.

Tregjet ndërkombëtare kanë reaguar pozitivisht ndaj mundësisë për një marrëveshje paqeje mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke sjellë një rënie të fortë të çmimeve të naftës dhe rritje të bursave aziatike.

Nafta Brent humbi mbi pesë për qind të vlerës, duke zbritur në rreth 98 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane ra në afro 91 dollarë.

Ndërsa çmimet e naftës bruto kanë rënë ndjeshëm , ato mbeten dukshëm më të larta se para luftës. Në prag të konfliktit, nafta Brent tregtohej me rreth 70 dollarë për fuçi.

Investorët po reflektojnë optimizëm pas deklaratave të Presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se marrëveshja me Teheranin është “negociuar kryesisht” dhe mund të shpallet së shpejti.

Një nga elementët kyç të marrëveshjes pritet të jetë rihapja e Ngushticës së Hormuzit, rruga strategjike detare ku kalon rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm. Që prej nisjes së konfliktit në fund të shkurtit, kjo zonë ka qenë praktikisht e bllokuar, duke shkaktuar luhatje të forta në tregjet globale të energjisë.

Ndikimi pozitiv u reflektua menjëherë edhe në bursat aziatike. Indeksi japonez Nikkei arriti nivel rekord, duke kaluar mbi 65 mijë pikë për herë të parë. Japonia dhe Koreja e Jugut konsiderohen ndër vendet më të prekura nga tensionet në Gjirin Persik, për shkak të varësisë së tyre nga importet energjetike.

Megjithatë, pavarësisht optimizmit, pasiguria mbetet e lartë. Presidenti Trump paralajmëroi se negociatat nuk duhet të nxitojnë dhe se “nuk mund të ketë gabime”. Edhe pala iraniane deklaroi se ka afrime mes qëndrimeve, por marrëveshja finale ende nuk është garantuar.

Ekspertët paralajmërojnë se, edhe në rast të një marrëveshjeje të plotë, tregut global të energjisë do t’i duhen vite për t’u stabilizuar plotësisht, për shkak të dëmeve në infrastrukturë dhe mungesës së rezervave të naftës.