Grupi i militantëve të Hamasit goditi Izraelin në një nga sulmet më të mëdha prej dekadash që e zuri në befasi. Mbi 5 mijë raketa u lëshuan nga Gaza, mëngjesin e së shtunës (Ora 07:00, 7 tetor 2023). Për herë të parë njerëz të armatosur të Hamasit me makina, motorë dhe deltaplanë arritën të kalonin kufirin e fortifikuar që ishte ndërtuar nga Izraeli dhe rrethonte Rripin e Gazës. Militantët hynë në territorin izraelit duke vrarë dhjetra civilë, qindra janë të plagosur ndërsa dhjetra të tjerë janë marrë peng dhe janë dërguar në Rripin e Gazës.
Fortifikimi që rrethonte Rripin e Gazës ishte i pamundur të kalohej nga palestinezët deri sot kur e gjithë skemat e mbrojtjes izraelite – e cila ishin të fortifikuara prej 2007 – u shemb.
Shifrat e fundit flasin për 250 izraelitë të vrarë, 1,452 të plagosur dhe dhjetra civilë, ushtarë dhe zyrtarë të marrë peng nga Hamasi me qëllim shkëmbimin e tyre me palestinezë të burgosur në burgjet izraelite. Ndërsa sulmi me raketa mbi Tel Aviv vijon edhe në orët e mbrëmjes.
Izraeli nga ana tjetër u kundërpërgjigj me sulme masive ajrore thellë brenda Gazës, duke vrarë dhjetëra dhe plagosur qindra njerëz dhe duke u zotuar për një hakmarrje të paprecedentë.
“Armiku ynë do të paguajë një çmim të cilin nuk e ka njohur kurrë”. “Jemi në luftë dhe do ta fitojmë” tha kryeministri Benjamin Netanyahu, në një fjalim televiziv.
Gjatë një adresimi televiziv, ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Yoav Gallant, tha se Hamasi ka bërë “një gabim të madh” dhe u zotua se “shteti i Izraelit do ta fitojë këtë luftë”.
Ndërkohë Izraeli u kundërpërgjigj duke goditur me raketa Rripin e Gazës duke shkatërruar sot pasdite kullën në qendër të Gazas dhe vrarë mbi 200 palestinezë dhe mijëra të plagosur. Dhjetëra avionë luftarakë izraelitë kanë kryer operacione mbi Gaza. Zyrtarët izraelitë deklaruan se kanë shënjestruar caqe ushtarake dhe qendrat e komandës së Hamasit.
Ende nuk është e qartë si skuadrat kanë arritur të kalojnë kurifin por militantët e Hamasit hynë në 21 lokacione brenda në Izrael dhe vranë e shkaktuan terror mes civilëve.
Në mëngjes mediat izraelite raportuan se personat e armatosur kishin hapur zjarr ndaj kalimtarëve në qytetin e Sderot, në jug të Izraelit, dhe pamjet që qarkullonin në mediat sociale tregonin terrorin dhe dhunën mes civilëve.
Në mëngjes komandanti ushtarak i Hamasit, Mohammad Deif, njoftoi fillimin e operacionit në një transmetim në mediat e grupit, duke u bërë thirrje palestinezëve kudo që janë të luftojnë.
“Kjo është dita e betejës më të madhe për t’i dhënë fund pushtimit të fundit në tokë. Ne kemi vendosur t’u japim fund të gjitha krimeve të okupimit” tha ai, duke shtuar se ishin hedhur 5000 raketa mbi Izraelin.
Sulmi vjen në kohën kur në Izrael po shënohet një festivali fetar hebrej.
Sulmi u përshëndet nga Irani dhe grupi militant Hezbollah, ndërsa u dënua gjerësisht nga diplomacia perëndimore. Kërkohet mbledhja urgjente e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Të gjitha lajmet mbi këtë sulm i gjeni në zhvillim.