Stilisti i famshëm italian Giorgio Armani ka ndërruar jetë këtë të enjte në moshën 91-vjeçare.
Lajmi për ndarjen nga jeta të legjendës botërore u bë publik nga shtëpia e tij e modës përmes një deklarate për mediat.
“Me hidhërim të pafund, Grupi Armani njofton ndarjen nga jeta të krijuesit, themeluesit dhe forcës së palodhur lëvizëse: Giorgio Armani”, thuhet në deklaratë.
I lindur më 11 korrik 1934, Armani themeloi në vitin 1975 shtëpinë e modës që mban emrin e tij, duke revolucionarizuar industrinë me stilin minimalist, elegancën e rafinuar dhe kostumet ikonike që u bënë simbol i luksit italian në mbarë botën.
Gjatë më shumë se pesë dekadave në krye të skenës së modës, Armani u shndërrua në një ikonë globale, duke ndërtuar një perandori që përfshin veshje, parfume, aksesorë, linja hoteliere dhe produkte të tjera luksi.





