Ndërmjetës në vrasjen e Klevis Lleshit, Saimir Kolaveri arrestohet në Itali

0

Saimir Kolaveri, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është arrestuar në Itali nga autoritetet vendase.

Kolaveri akuzohet se ka luajtur rolin e ndërmjetësit mes Aurel Hoxhës, që dyshohet se ka urdhëruar vrasjen e Klevis Lleshit për motive gjakmarrjeje, dhe Sahab Nuzit, i cili dyshohet ta ketë ekzekutuar vrasjen për një pagesë prej 50,000 euro.

SPAK, ditën e sotme goditi një grup të strukturuar kriminal të përfshirë në vrasje me pagesë dhe pastrim parash dhe arriti të zbardhë vrasjen e të riut 21-vjeçar Klevis Lleshi nga Burreli, pesë vjet më parë.

SPAK ka arritur të provojë se rrëmbimi, zhdukja e më pas edhe groposja e tij ka ndodhur nga një grup i strukturuar kriminal.

Është pikërisht gjakmarrja përmes organizatës kriminale akuza që rëndon mbi katër personat për të cilët është lëshuar fletë-arrest.

Dy prej tyre, Sabah Nuzi dhe Samet Loka të dy 31 vjeç, përfunduan në pranga mesnatën e 26 shtatorit. Organi i akuzës ka faktuar se porositësi është Aurel Hoxha, i njohur edhe me emrin Aurelinjo Kalaveri 36 vjeç dhe Sajmir Kolaveri. Aurelinjo Kalaveri vijon të jetë në kërkim.

Në pronësinë e e Aurel Hoxhës është një lokal në të cilin hetuesit zbarkuan në të gdhirë të mëngjesit të së premtes. Prokuroria e Posaçme e ka zbardhur krimin e rëndë pas transkripitimit të SKY ECC.

Klevis Lleshi u zhduk pa gjurmë në 2020, ndërsa tre vjet më pas hetuesit arritën të zbulojnë se mbetjet kockore të gjetura nga banorët e zonës në fshatin Shpërdhet të Kurbinit i përkisnin pikërisht atij. Kjo pasi eshtrat e 21 vjeçarit iu nënshtruan analizës së ADN-së nga Instituti i Policisë Shkencore.

Klevis Lleshi është një nga pesë viktimat e gjakmarrjes mes dy fiseve. Arben Lleshi, që u vra në burgun e Peqinit në mes të dhjetorit të 2023 teksa vuante dënimin është i fundit. Ai ishte një emër i njohur për drejtësinë shqiptare dhe atë të huaj për çeljen e sagës 11 vjeçare të gjakmarrjes që filloi në vitin 2012 në Britaninë e Madhe.

Arben Lleshi asokohe 27 vjeç raportohet nga mediat britanike se ekzekutoi e më pas i dogji bashkëfshatarin e tij, në një automjet. I vdekur mbeti 29 vjeçari, Agim Hoxha, vëllai i Aurelit për të cilin SPAK ka lëshuar urdhër arresti. Kjo vrasje besohet se ndodhi për hesape të pambyllura droge. Për këtë ngjarje ai u dënua nga Gjykata Britanike e Uinchester me burgim të përjetshëm në vitin 2013 e më pas u ekstradua drejt vendit tonë në vitin 2016.

Pas kësaj vrasje pjestarët e fisit Hoxha u betuan “për të mos lënë asnjë mashkull gjallë” të familjes Lleshi. Në vitin 2013 u vra në pritë xhaxhai i Arben Lleshit,  Xhavit Lleshi, ndërsa në vitin 2016 u qëllua para derës së shtëpisë Hajredin Lleshi babai i te vrarit ne burgun e peqinit. Po nga i njëjti fis në vitin 2017 u rrëmbye dhe zhduk në Kamëz Artan Lleshi.

Megjithatë, në asnjërën nga këto vrasje policia nuk ka mundur të gjejë dot autoret. Pas çdo vrasjeje apo zhdukjeje janë marrë në pyetje anëtarët e familjes Hoxha nga fshati Shqefën i Matit, por ata kanë mohuar që të kenë dorë në këto krime. Kjo është hera e parë që prokuroria ka vënë gishtin e akuzës ndaj Aurel Hoxhës.