Ka ndërruar jetë në spital 17-vjeçari i cili mbeti i plagosur rëndë me armë zjarri në kokë më 24 maj, në zonën e Kthesës së Kamzës, në Tiranë.
I mituri ndodhej prej disa ditësh në gjendje kritike për jetën, ndërsa nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Sipas hetimeve paraprake, ngjarja dyshohet se ka ndodhur aksidentalisht gjatë një takimi në banesën e një 19-vjeçari, ku të rinjtë po konsumonin alkool. Gjatë kësaj kohe, autori i dyshuar, 19-vjeçari Rigels Sylaj, dyshohet se po u tregonte një armë zjarri pa leje, e cila u shkrep aksidentalisht.
Pas të shtënës, të pranishmit e kanë nxjerrë 17-vjeçarin jashtë banesës dhe kanë njoftuar shërbimet e emergjencës. Fillimisht, ata kanë dhënë një version të ndryshuar të ngjarjes, por më pas kanë pranuar dinamikën e vërtetë.
Policia ka vënë në pranga autorin e dyshuar, si dhe dy persona të tjerë të pranishëm në momentin e ngjarjes, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.





