Një lajm i trishtë ka prekur thellë komunitetin e Librazhdit dhe të gjithë ata që u bashkuan në përpjekjen për të shpëtuar jetën e saj. Infermierja 22-vjeçare, Klarisa Zharri, ka ndërruar jetë në një spital në Itali, duke lënë pas dhimbje të madhe te familjarët, miqtë dhe te të gjithë ata që u bënë pjesë e kauzës për ta ndihmuar.
Historia e saj u kthye në një simbol të solidaritetit njerëzor. E diagnostikuar me një sëmundje të rëndë autoimune të mëlçisë, që kishte çuar në cirrozë të avancuar dhe dështim funksional të organit, e reja nga Librazhdi kishte nevojë për një transplant të mëlçisë, një ndërhyrje jetike që kërkonte mbështetje të madhe financiare.
Apeli për ndihmë i bërë disa javë më parë bashkoi një komunitet të tërë. Qytetarë nga Librazhdi, por edhe shumë shqiptarë nga qytete të tjera dhe diaspora, kontribuan për të mbledhur fondet e nevojshme për trajtimin e saj. Brenda pak kohësh u sigurua shuma prej rreth 100 mijë euro, duke i dhënë mundësinë Klarisës të udhëtonte drejt Italisë, në një nga qendrat e specializuara për transplante.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve dhe shpresës së madhe që kishte lindur te të gjithë ata që e mbështetën, 22-vjeçarja nuk arriti ta fitojë betejën me sëmundjen.
Solidariteti i treguar për Klarisën mbetet një shembull i rrallë humanizmi, ku qindra njerëz u bashkuan për të ndihmuar një jetë të re.





