Ndërtimi pa leje në Theth/ Rama denoncon prokuroren: Elsa Gjeli nuk nisi hetim për ndërtim pa leje

0

Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka publikuar pamje nga aksioni i IKMT-së për largimin e ngrehinave nga qendra turistike e Thethit, një hapësirë kjo, e cila sipas tij është zaptuar në shkelje të ligjit.

Ai theksoi se ngrehinat në fjalë janë lejuar të ngrihen në këtë zonë pasi prokurorja Elsa Gjeli, duke shkelur ligjin, nuk ka pranuar të nisë procedim penal për këtë masakër mjedisore.

Shefi i qeverisë thekson se aksioni i IKMT-së do vijojë deri në pastrimin e fundit të kësaj katrahure, e cila ka prishur bukurinë e Thethit.

“Ja shikojeni vetë LIVE nga Thethi. Kjo është fusha e mrekullueshme e Thethit, ku një kriminel – që as nuk ka kurajon të shfaqet ndërkohë që IKMT po zbaton ligjin – ka hedhur betonin e dynjasë për të ndërtuar “fshatin e tij turistik” pa asnjë leje, një krim i shumëfishtë për të cilën një prokurore e quajtur ELSA GJELI, ka refuzuar të hapë çështjen duke hedhur në kosh denoncimin e Policisë së Shtetit.  Tani çfarë borxhi i kanë zonjës GJELI, Republika e Shqipërisë, Parku Kombëtar i Thethit, banorët e mrekullueshëm e punëtorë të Thethit, vizitorët e turistët e shumtë dhe gjithë këto forca që kanë zbarkuar sot në Theth, bashkë me taksapaguesit shqiptarë që do të paguajnë tërë këto shpenzime për paga e për karburant, për pastrimin e kësaj katrahure dhe kthimin e qendrës së qytezës magjike në gjendjen e mëparshme”, shkruan Rama.