Ndizet Lindja e Mesme/ Reuters: Mossadi kreu një seri operacionesh të fshehta në Iran, përpara sulmit. BBC: Izraeli po planifikon sulme të tjera

0

Agjentët izraelitë të Mossadit kryen një sërë operacionesh të fshehta thellë brenda Iranit që i hapën rrugën sulmeve raketore të Izraelit të premten, tha një burim sigurie izraelite, raporton Reuters.

Këto operacione përfshinin vendosjen e armëve precize në zona të hapura pranë instalimeve të raketave tokë-ajër iraniane, teknologji të përparuar kundër sistemeve të mbrojtjes ajrore të Iranit dhe krijimin e një baze sulmuese dronësh pranë Teheranit, tha i njëjti burim.

Qindra raketa dhe dronë izraelitë “pushtuan” hapësirën ajrore iraniane mëngjesin e kësaj të premte duke i hapur rrugë operacionit “Luani në Ngritje” me objektiv impiantet bërthamore iraniane ku dyshohet se pasurohet uranium. Target ishin edhe objektet e tjera ushtarake të Teheranit.

Sipas kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, Operacioni “Luani në Ngritje” është përgjigja ndaj “kërcënimit ekzistencial të Iranit”.

Nga ana tjetër, udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenein premtoi hakmarrje të ashpër.

Televizioni shtetëror iranian raportoi se u sulmuan edhe zona banimi në Teheran, me disa viktima. Sipas të njëjtit burim, komandanti i Gardës Revolucionare, Hossein Salami, u vra gjithashtu në një nga sulmet.