NDJENJË ISLAME E NJË MYSLIMANI SHQIPTAR

0

Nga Behauddin GASHI

Gjithkush e di që s’e kam për natyrë të kulturës sime që të përdor fjalor të asaj natyre që i takon një zhargoni të pistë, por realisht sot nuk mund të mos e them se më ka ardhur jo pak, por disa herë më keq se për të vjellë teksa lexoja komente dhe sharje nga më banalet në lidhje me vdekjen e islamofobit Kastriot Myftaraj nëpërmjet aktit të vetvrasjes.
Të gjithë e dimë realitetin e tij në lidhje me besimin islam, me Vetë Zotin së pari, ama kjo nuk justifikon asnjë mysliman dhe myslimane që t’i hakërrehet një trupi të pashpirt në këtë lloj mënyre kaq të ulët…
Llogaria e tij është me Zotin që e ka krijuar – se ne jemi për t’u llogaritur për vete një ditë – por pyetja paksa e zgjeruar dhe shumë e justifikuar që më lind është kjo:
“Vallë të gjithë nga të afërmit tanë janë në rregull me Zotin dhe me besimin? Pse kur na vdes ndonjë prej tyre askush nuk i hakërrehet kështu? Cila është ajo peshore teologjike që justifikon sjelljen e kësaj natyre”?
Në fakt duhet të na vijë keq që shoqëria jonë ka plot jobesimtarë që e shfaqin apo e mbajnë të fshehtë urrejtjen e tyre për Zotin! Duhet të na vijë keq që njerëzit po ndahen nga jeta pa besuar! Që shqiptarët e të pamëkuar me qumështin e besimit vrasin veten nga pesha e jetës…, që vrasin njëri-tjetrin pa pikën e mëshirës, në emër të monstruoziteteve më makabre e të habitshme, madje vëllai i gjuan vëllait me plumba revoleje, biri sakaton nënën me thikë a dikush tjetër mbyt babain me duart që ai ia rriti duke e hequr ushqimin nga goja për t’ia dhënë atij…
Si është sjellë Profeti ynë Muhammedi (Paqja, mëshira dhe bereqeti i All-llahut qofshin mbi të!), me krijesat e Zotit? Si ia fitonte zemrat? Si i bënte t’i binin në gjunjë duke shprehur shehadetin? Si polemizonte me pabesimtarët? Eh, padyshim me urtësinë, butësinë dhe argumentin e pakundërshtueshëm hyjnor!…
Një urrejtje e tillë karshi një xhenazeje, në fund të fundit birit të një nëne të moshuar që pa lemerinë me sy, a ka justifikim? Të gjithë e dimë që ai e ka luftuar Islamin, por në fund të fundit e ka pasur për vete dhe padyshim që tani i është hequr perdja…, por ne çfarë kemi bërë me të, çfarë bëjmë me të këtillët, a kemi treguar sjelljen “profetike” me ta, a iu kemi folur, a ia kemi shpjeguar Islamin, a iu jemi afruar me mëshirën “profetike”?
Pastaj, ka plot mënyra elegante komunikimi për të nxjerrë në pah Fuqinë e Zotit për ata që s’e shohin!…
S’e di, por ndihem tepër i indinjuar nga kjo paraqitje e shfaqje besimi në këto mënyra që s’i shkojnë për shtat një injorance, e jo më ithtarëve të një feje që filloi me fjalën që zbriti nga qiejt: “IKRE – LEXO”!
O Zot, të lutemi, zbritna udhëzim!…


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu