Ndotja e ajrit mbetet shqetësimi më i madh i banorëve të qytetit të Elbasanit. Përqendrimi i industrisë së rëndë në një zonë të vetme rreth ish-Metalurgjikut si dhe ndërtimi dhe funksionimi i inceneratorit të mbetjeve urbane gjatë viteve të fundit rrezikojnë të sjellin pasoja afatgjata për mjedisin dhe shëndetin e banorëve.
Përmes kësaj thirrjeje, ne duam të dëgjojmë banorët e zonave pranë ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan, por edhe punonjës, kalimtarë apo qytetarë të interesuar për çështjet mjedisore, të cilët duan të ndajnë me ne dëshmitë e tyre mbi burimet kryesore të ndotjes dhe shkaktarët e saj në zonën industriale të Elbasanit.
Për të raportuar në mënyrë të saktë, ne do të kemi gjithashtu nevojë për dëshmi në foto apo video të ndotjes së ajrit, të tokës apo të ujërave në këtë zonë, të cilat mund t’i ngarkoni lehtësisht në pyetësorin bashkangjitur.
Kini parasysh:
Ne nuk do të publikojmë të dhënat tuaja personale pa marrë më parë miratimit nga ana juaj dhe nuk kemi për qëllim të merremi me subjekte të caktuara, por të ekspozojmë problemet e përgjithshme dhe sistemike të ndotjes së mjedisit në këtë zonë. Përgjigjet tuaja janë të sigurta dhe të mbrojtura. Dëshmitë tuaja do të na ndihmojnë ne për të realizuar investigimin.
Si mund të bëheni pjesë?
Për të ndarë dëshmitë tuaja apo edhe foto e video, gjithë sa duhet të bëni është plotësimi i këtij pyetësori.
Përgjigjet tuaja mund t’i dërgoni përmes pyetësorit deri në mesnatën e 10 Prill 2021.