Në lokal me kokainë/ Vlorë, pranga 48-vjeçarit, gjenden edhe fishekë luftarakë

0

DVP Vlorë/Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, falë inteligjencës policore.

Fshihte kokainën në lokalin e tij dhe e ndante në doza për shitje, vihet në pranga 48-vjeçari.

Sekuestrohen 55 doza kokaine dhe municion luftarak.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë, në kuadër të veprimeve operacionale për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, pas administrimit të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, organizoi dhe kreu kontroll në një lokal bar-kafe në rrugën “Demokracia”, Vlorë, në posedim të një shtetasi që dyshohej për shpërndarje të lëndëve narkotike.

Si rezultat u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi L. T, 48 vjeç, banues në lagjen “Osman Haxhiu”, Vlorë.

Gjatë kontrollit personal dhe në ambientet e lokalit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lëndë narkotike të dyshuar kokainë, të ndara në 55 doza, si dhe 10 fishekë luftarakë.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit luftarak”.