NË NDERIM TË NJË SIMBOLI- Dedikimi i Luçiano Boçit për profesorin e tij Mehmet Çeliku

0

Nga Luçiano Boçi

Postimi në Facebook:

Mehmet Çeliku, profesori im i dashur dhe i shumë brezave, ka ndërruar jetë.
Nuk e di sa Gjuha, së cilës i shërbeu me aq devocion, do ta shprehë si duhet dhimbjen për ikjen e tij.

Prof. Dr. Mehmet Çeliku ishte shkencëtar i mirëfilltë, me një kontribut të jashtëzakonshëm në gjuhësi. Ai nuk e ndali prodhimtarinë shkencore asnjë moment, megjithë tronditjet që i rezervoi fati jetësor.

Profesori “i rreptë” i Sintaksës, por i dashur me të gjithë, formësoi ndër vite me mijëra studentë dhe pedagogë, të shpërndarë kudo në Shqipëri e në trevat shqiptare, të cilët morën nga ai pasionin për punën dhe dashurinë për gjuhën shqipe.

Rektori “i fortë” më vemdimmarrësi i Universitetit të Elbasanit, në vitet që e drejtoi i riktheu atij famën e Normales dhe imponoi për këtë institucion nder dhe respekt.
Deputeti “i urtë” me mençurinë e elokuencën e tij tipike , që dëgjohej me vëmendje nga të gjithë krahët, shpalosi dhe parashtroi ide dhe vizone bashkëkohore për vendin dhe politikën.

Ikonë e ndershmërisë, e punës së palodhur, e shkencëtarit tipik, e njeriut të përkushtuar ndaj familjes, e qytetarit model, Met Çeliku, ka lënë gjurmë të pashlyera ndaj kujtdo që ka punuar me të, e ka njohur dhe e ka takuar.

Profesori ynë i dashur nuk do jetë më midis nesh, por për ne do jetë përherë frymëzim dhe simbol i të jetuarit me nder e respekt.

Lamtumirë profesor, bashkëpunëtor, mik.

I lehtë dheu e i ndritshëm shkëlqimi i parajsës.

Fjalët për ty duhen të gdhenden me të arta, sepse të artë e doje ti Gjuhën Shqipe, profesionin dhe jetën.

Lamtumirë!!!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu