TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në mitingun përmbyllës tha se më 11 Maj firmosim së bashku për një Shqipëri krenare, për një Shqipëri tjetër. Në fund të fjalës së tij në tubimin në Bulevardin e ri Lideri i opozitës u shpreh se, kjo forcë politike do e anëtarësojë Shqipërinë në BE.
“Pra miq, 11 Maji në të vërtetë është ditë e çdo shqiptari. Është ora e çdo shqiptari. Është ora e Shqipërisë.
Është ora e atdhetarisë së shqiptarëve. A e shihni ju ku kemi rënë? Kemi rënë në kombin që kemi sot treguesin e lindshmërisë më të ulët në botë. Kemi rënë në kombin që sot kemi treguesin e jetesës më të keqin në Europë.
Kemi rënë në kombin e vetëm që ka një vend që quhet kanabistan apo Kolumbi e Europës. Miq, më 11 Maj firmosim së bashku për një Shqipëri krenare, për një Shqipëri tjetër. Ne që përmbysim dikur një diktaturë, ne do përmbysim këtë diktaturë.
Ne që anëtarësuam Shqipërinë në NATO, do anëtarësojmë Shqipërinë në BE. Ne që dolëm nga honet e mjerimit në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta, do ecim drejt mirëqenies, punësimit, rrogave të larta, drejt shkollimit. Ndaj dhe këto orë që na ndajnë, le ta bëjmë natën ditë, të vazhdojmë komunikimi, kontaktet, bisedat me çdo të njohur kudo që është. T’i ftojmë të bashkohen. Nuk është çështja për partitë, nuk është çështja për pushtetin e Sali Berishës. Absolutisht jo.
Por është çështja për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Për mirëqenien. Për begatinë. Për punësimin. Për rroga të larta. Për pensione të larta. Për shkollimin e të rinjve. Për ëndrrën e të rinjve në Shqipëri. Është çështja për rininë në Europë. Është çështja për Shqipërinë zonjë. Rroftë Shqipëria, fitore, fitore, fitore!” tha Berisha.