Negociatat për paqe mes Ukrainës e Rusisë, Erdogan për bisedimet në Stamboll: Dua të ul në tryezë Trumpin, Putinin dhe Zelenskyn!

0

Edhe pse e përshkroi takimin e Stambollit si të shkëlqyer, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, tha se shpreson që të arrijë të ulë në një tryezë bisedimesh Vladimir Putinin, Volodymyr Zelenskyn dhe Donald Trumpin.

Turqia, tha Erdogan, do të ndërmarrë hapa drejt organizimit të një takimi të nivelit të lartë mes tre liderëve pas raundit të fundit të bisedimeve midis delegacioneve.

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme ukrainase, Heorhii Tykhyi, e pohoi më herët se Zelensky do të takohej me shefin e Kremlinit nëse ky i fundit do të pranonte ftesën e tij. Raundi i dytë i bisedimeve të paqes u mbyll të hënën pa një pajtim mbi armëpushimin pa kushte, por me një tjetër marrëveshje për shkëmbim të burgosurish.

Takimi i mbajtur një ditë pas sulmeve masive ukrainase me dronë në bombarduesit strategjikë të Rusisë me kapacitet bërthamor, zgjati rreth një orë. Bisedimet – të dytat direkte mes dy palëve prej vitit 2022 –nisën me dy orë vonesë, teksa arsyeja nuk u bë e ditur.

Ukraina është pajtuar që në muajin prill për një armëpushim 30-ditor, sipas në propozimi nga SHBA-ja, por Rusia nuk ka shfaqur gatishmërinë për ta nënshkruar, dhe shumë prej aleatëve të Ukrainës e kanë akuzuar presidentin rus, Putin, se po përpiqet ta zvarrisë procesin, në mënyrë që të shfrytëzojë situatën aktuale në fushëbetejë, ku Rusia ka përparuar në territoret që synon t’i mbajë të pushtuara.