Tensionet ndërkombëtare sa vijnë dhe po rriten. Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork po zhvillohet debati për luftën mes Izraelit dhe Hamasit.
Ky debat vjen përpara një votimi të pritshëm për pauzat humanitare që do të lejojë ndihmat të hyjnë në Gaza.
Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken gjatë fjalës së tij në seancë, u tha pjesmarrësve që Izraeli ka një detyrim për të mbrojtur veten. Ai thotë se të paktën 33 qytetarë amerikanë vdiqën gjatë sulmit të Hamasit dhe bën thirrje që të gjithë pengjet të lirohen menjëherë, raporton SkyNews.
Blinken tha se pauzat humanitare duhet të merren parasysh në konflikt dhe se SHBA po punon me Egjiptin, Izraelin dhe OKB-në për të ndërtuar mekanizma për të lejuar që ndihma humanitare të arrijë civilët në Gaza.
Gjatë gjithë konfliktit, SHBA ka paralajmëruar që vendet e tjera të mos përfitojnë nga situata dhe të “zgjerojnë” luftën. Blinken e përsëriti këtë paralajmërim, duke thënë: “Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë konflikt me Iranin. Ne nuk duam që kjo luftë të zgjerohet, por nëse Irani ose përfaqësuesit e tij sulmojnë personelin amerikan kudo, mos gaboni, ne do të mbrojmë popullin tonë, do ta mbrojmë sigurinë tonë me shpejtësi dhe vendosmëri.”





