ANGLI- “Nëse vjen ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar, do të përballesh me ndalim dhe largim“. Ky është një ndër posterat e shpërndara nga qeveria angleze ndaj shqiptarëve, pjesë e një fushate se kush mbërrin ilegalisht në Angli do të dëbohet menjëherë.
Lëvizjet e shpeshta të trafikantëve për të shkuar në Angli me gomone, kanë marrë vemendjen e qeverisë angleze, e cila ka nisur një fushatë sensibiliueze në Shqipëri. Fushata e qeverisë së kryeministrit Rishi Sunak, vjen si një kundërpërgjigje e reklamave në TikTok nga grupet kriminale në këtë trafik.
Një zëdhënës i Home Office tha për “Top Channel” se posterat do të shpërndahen në rrjetet sociale, duke targetuar audiencën shqiptare për të përçuar mesazhin se kush mbërrin ilegalisht në Angli do të dëbohet menjëherë.
Në një tjetër poster thuhet se ligjet janë strikte dhe se askush nuk do ti shkelë ato. “Ligje të reja strikte në Mbretërinë e Bashkuar. Nëse vjen ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar, mund të të dërgojnë në vendlindje ose në një shtet të sigurtë”.
Robert Xhenrick, Ministër i Emigracionit deklaroi paraditen e të dielës se: “Ne jemi të vendosur të ndalojmë udhëtimet me gomone. Kjo fushatë që ne nisim në Shqipëri është një prej komponentëve të punës së Home Office”.
Vitin e shkuar me qindra reklama të tilla në TikTok shërbyen si një urë lidhëse mes trafikantëve dhe 13.000 shqiptarëve që mbërritën me gomone, tashmë subjekt dëbimi nga shteti ishull.