“Nesër populli gjykon Ramën” – Berisha: Do krijojmë komisionet tona për reformën territoriale dhe zgjedhore

0

Opozita shqiptare është gati të zhvillojë një protestë masive nesër, e cila sipas kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, do të jetë “dita e gjykimit popullor” ndaj Kryeministrit Edi Rama.

Gjatë një konference për media, Berisha akuzoi Ramën për lidhje me krimin e organizuar, trafikantë dhe banda, dhe e fajësoi për shkatërrimin e lirive, votës së lirë dhe largimin masiv të shqiptarëve. Sipas tij, mbi 1.1 milion shqiptarë janë larguar drejt Europës në 10 vitet e fundit, duke kthyer Shqipërinë në një “narkoshtet” ku pushteti mbahet përmes mjeteve të paligjshme dhe shkeljeve kushtetuese.

Berisha theksoi se protesta nuk do të gjykojë vetëm kryeministrin, por gjithë rrjetin kriminal që sipas tij ka kapur shtetin shqiptar. Ai kritikoi gjithashtu Gjykatën Kushtetuese, duke e quajtur vendimin e fundit “të turpshëm dhe antikushtetues”, dhe akuzoi institucionin për tejkalim të kompetencave dhe përdorim politik.

Në aspektin ndërkombëtar, Berisha deklaroi se Rama mbetet i padëshiruar në Europë dhe në botë, duke i cilësuar si mashtrim pretendimet e tij për angazhime të rëndësishme globale.

Në fund, Berisha njoftoi se Partia Demokratike do të krijojë komisione opozitare për reformën territoriale dhe zgjedhore, të cilat do të operojnë jashtë kontrollit të qeverisë.