Presidenti i Izraelit, Benjamin Netanyahu i ka quajtur “gënjeshtra anti-semite” pretendimet se ushtria e vendit të tij po kryen gjenocid në Gaza.
Netanyahu tha gjatë fjalimit të tij në Organizatën e Kombeve të Bashkuara se palestinezët nuk vuajnë nga uria. Sipas tij banorët e Gazës konsumojnë 3,000 kalori për person në ditë.
“Edhe Kombet e Bashkuara e pranuan se 87% të ndihmave ushqimore janë rrëmbyer nga Hamasi, që i shet ato për të financuar makinerinë e saj të luftës”.
Netanyahu tha se “gënjeshtrat anti-semite”, nuk janë pa pasoja, por kanë shkaktuar urrejtje ndaj hebrenjve në mbarë botën, në disa raste me pasojë sulme fatale ndaj tyre.
Netanyahu akuzoi palestinezët, duke thënë se janë ata që nuk kanë pranuar një zgjidhje me dy-shtete. Sipas tij, jo vetëm Hamasi, por edhe autoriteti palestinez e refuzon ekzistencën e shtetit izraelit.
“Ju thoni se besoni në një zgjidhje me dy shtete. Ka një problem me këtë, vetë palestinezët nuk besojnë në këtë zgjidhje. Atyre iu është ofruar shumë herë mundësia e shtetit, dhe kanë refuzuar. Kur u kemi dhënë territor, e kanë përdorur për të na sulmuar. Në fakt ata e kanë një shtet palestinez, në Gaza. E çfarë bënë me të? E kthyen në një bazë për të lëshuar raketa drejt nesh”, tha ndër të tjera Netanyahu.
Një pjesë e madhe e delegacioneve nga disa vende të botës kanë braktisur sallën, sapo ka marrë fjalën Netanyahu. Sipas raportimeve në mediat ndërkombëtare, Netanyahu ka urdhëruar që fjalimi i tij në OKB të transmetohet drejtpërdrejt me autoparlantë në Gaza.





