Kryesocialisti Edi Rama ka prezantuar këtë të enjte gjatë takimit të zhvilluar në Durrës, skuadrën e re për “Shqipërinë 2030”.
“Shqiptarët me 11 maj duhet t’i bëjnë llogaritë si duhet. Në 11 maj duhet të synojmë 1 milion vota duke përfshirë edhe emigrantët natyrisht. Patjetër që ne duhet të dalim nga 11 maji me më shumë se 900 mijë vota”, nënvizoi Rama.
Gjatë fjalës së tij, gjithashtu kryeministri nënvizoi se tashmë “dera e BE” është hapur dhe se kjo është një mundësi shumë e madhe që nuk duhet anashkaluar dhe të bëhet teori.
“Bashkimi Europian nuk është thjeshtë një çështje lirish dhe të drejtash të garantuara. Duke hyrë në BE ju fitoni statusin e të qenurit qytetarë të Bashkimit Europian dhe nuk është e njëjta gjë si të jesh udhëtar, turist apo student. Qytetarët e barabartë të Europës kanë të drejtë të shkojnë ku të duan dhe të qëndrojnë ku të duan. Ne kemi lirinë e lëvizjes, por jo të qëndrimit”, u shpreh Rama.
Gjithashtu gjatë fjalës së tij, kryeministri ritheksoi se Bashkimi Europian kërkon mbylljen e negociatave në 2027.
“Me hyrjen në BE kemi një buxhet ekstra. Në këto vite e kemi rritur dy herë e gjysmë prodhimin e brendshëm kombëtar. Por nevojat që kemi janë ende më të mëdha se sa mundësitë. Me hyrjen në BE ne fitojmë një buxhet tjetër që na vjen plus buxhetit që krijojmë vetë. Ka disa që thonë 12 vite nuk na futën në BE dhe tani del Edi Rama thotë “na jepni një mandat tjetër dhe do futeni”. Por ne i kemi filluar negociatat zyrtarisht vjet dhe dera është hapur, se edhe ata sot kanë interes që të na marrin ne dhe Malin e Zi si fillim brenda sepse duan të japin një mesazh gjeopolitik se BE po shkon drejt unifikimit dhe të gjitha pjesët që kanë mbetur jashtë të bëhen bashkë”, tha mes të tjerash Rama, duke shtuar: “Në Durrës duhet të marrin mandatin e 9 dhe kam shumë besim se sot që flasim jemi shumë afër mandatit 9”.