Nga “Foltorja” në garën e re: Demokratët e Elbasanit në kërkim të figurës përbashkuese ( EMRAT)

0

Dega e Partisë Demokratike në Elbasan ka hapur zyrtarisht procesin zgjedhor për përzgjedhjen e kryetarit të ri, duke nisur kështu një fazë të re riorganizimi në këtë strukturë të rëndësishme të PD-së. Ky proces vjen pas një njoftimi zyrtar të Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Flamur Noka, i cili në një shkresë të dërguar kësaj dege ka kërkuar nisjen e menjëhershme të zgjedhjeve të brendshme. Sipas urdhëresës, votimi për kreun e ri të PD Elbasan do të zhvillohet më 31 janar 2026, një datë që konsiderohet vendimtare për të ardhmen e kësaj strukture, e cila prej kohësh përballet me sfida të brendshme organizative dhe politike. Zgjedhjet vijnë pas marrjes së mandatit të deputetit nga Blendi Himci, i cili ka drejtuar degën e Elbasanit që prej krijimit të fraksionit të njohur si “Foltorja”. Me kalimin e tij në detyrën parlamentare, drejtimi i degës u la i komanduar dhe aktualisht mbahet nga Durim Cekrezi, i cili ka ushtruar funksionin tranzitor deri në zhvillimin e zgjedhjeve të reja.
Ndërkohë, brenda strukturave të degës ka nisur të qarkullojë një listë kandidaturash që pritet të konfirmohen zyrtarisht në ditët në vijim. Burimet bëjnë me dije se në garë për postin e kryetarit do të jenë:

Sokol Shkelzeni

Dritan Mitarja
Alis Narazani
Elsa Gega
Qani Xhafa
Këta emra konsiderohen ndër figurat më aktive në jetën e brendshme të PD Elbasan dhe pritet të përfaqësojnë linja të ndryshme të mendimit dhe organizimit brenda strukturës. Procesi zgjedhor shihet si një shans i rëndësishëm për demokratët e Elbasanit, të cilët shpresojnë që kjo garë të prodhojë një figurë përbashkuese, të aftë të rikthejë unitetin, strukturimin dhe energjinë politike që ka munguar prej vitesh. Përballë një situate të vështirë të përshkruar shpesh si “kolaps organizativ” zgjedhja e një drejtuesi të ri shihet si një moment kyç për të rikthyer besimin e anëtarësisë dhe për të përgatitur degën për sfidat e ardhshme politike.
Në pritje të 31 janarit, gara pritet të jetë dinamike, ndërsa sytë e demokratëve lokalë janë drejtuar nga procesi që do të përcaktojë drejtimin e ri të PD.