Një student që përfundon universitetin në profilin Gjuhë-Letërsi dhe kryen më pas një master shkencor 2-vjeçar në një profil të caktuar siç mund të jetë redaktimi, nuk i mjaftojnë pesë vite shkollim për të dalë mësues.
Duhet me patjetër master profesional e më pas licencë në mësuesi për të pasur të drejtën e dhënies mësim. Por, një tjetri që ka përfunduar studimet e larta për Gjuhë të Huaj, i duhet vetëm një semestër shkollë për të dalë mësues. Është ky udhëzimi më i fundit i Ministrisë së Arsimit, i cili ka hasur në kundërshtinë e mësuesve në sistem, e veçanërisht atyre në listë pritje. Ata thonë se favorizohen hapur prurjet e reja, ndërkohë që mijëra mësues janë sot në listën e portalit ndërmjetësues të punësimeve “Mësues për Shqipërinë” pa shpresë për t’u rekrutuar.
Përmes një dokumenti të firmosur në datën 15 shkurt, “Për përcaktimin e diplomave universitare të njëvlershme të ngjashme ose të përafërta me fushën\lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar dhe kriteret për hapjen e programeve të studimit të formimit të vazhduar në fushën psikopedagogjike”, Ministria e Arsimit iu ka hapur rrugë qindra mijëra profesionistëve nga fusha të ndryshme që nuk gjejnë dot punë në profesionin e tyre të zhvillojnë mësim. Nuk nevojitet asnjë master profesional apo licencë, por vetëm një semestër shkollë për t’u pranuar si kandidatë potencialë në mësuesi.
Diçka që mësuesit aktualë e kanë shumëfish më të vështirë. Për këtë, është përllogaritur hapja e një programi studimi e formimi të vazhduar në fushën psiko-pedagogjike. “Programet e studimit të formimit të vazhduar në fushën psiko-pedagogjike ofrohen nga institucionet e arsimit të lartë që kanë programe studimi të ciklit të parë dhe të dytë në fushën e mësuesisë, në përputhje me përcaktimet e ligjit nr.80\2015 ‘Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë’. Programet e studimit të formimit të vazhduar në fushën psiko-pedagogjike organizohen me jo më pak se 30 kredite dhe me kohëzgjatje normale një semestër”, citohet në udhëzim.
Në tabelën përbri këtij shkrimi është lista me fushat e ngjashme ose të përafërta me lëndën që jepet në shkolla, e cila i lejon ata profesionistë të jenë edhe mësimdhënës. Janë dy kriteret e paracaktuara në udhëzim. “Diplomë e njëvlershme, e ngjashme ose e përafërt për ushtrimin e profesionit të mësuesit do të konsiderohet, plotësimi i kritereve:
a)Diploma e programit të ciklit të parë “bachelor” të jetë në fushën/lëndët e arsimit të mesëm të ulët dhe të arsimit të mesëm të lartë sipas aneksit bashkëngjitur udhëzimit (tabelës përbri).
B) Diploma e ciklit të dytë “master i shkencave/master i arteve” me 120 kredite apo ekuivalente me to, të lëshuara nga institucione të arsimit të lartë, programi i studimit të së cilës të përputhet me një nga fushat\lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar të përcaktuara në aneksin bashkëlidhur udhëzimit”. Pra, thënë me fjalë të thjeshta, duke iu referuar tabelës në fjalë, një fizikant mund të jetë edhe mësues fizike nëse ndjek semestrin psiko-pedagogjik.
Po ashtu, edhe një historian, një muzikant, ekonomist, sportist apo informaticien. Do të jenë universitetet ato që ofrojnë edhe këtë semestër, krahas të tjerave, por duhet të bëjnë kërkesë për të ofruar këtë shërbim duke bërë gati një listë me gjashtë dokumente: propozimin e njësisë bazë, vendimin e senatit akademik dhe bordit, planin mësimor dhe lëndor, rregulloren e pranimit, listën e personelit akademik që do të angazhohet bashkë me dosjet përkatëse të secilit prej tyre.
KRITERET PER T’U BERE MESUES
Profesioni i mësuesit mund të ushtrohet edhe nga individë që plotësojnë këto kritere:
1. Zotërojnë diploma të programeve të studimit që kanë zgjatur së paku 4 vite akademike deri në përshtatjen e studimeve sipas parimeve të procesit të Bolonjës, diplomë universitare të ciklit të parë dhe të dytë ose të integruar, të ngjashme ose të përafërt me fushën/lëndët e mësimdhënies
2. Zotërojnë certifikatë për formimin psiko-pedagogjik, të lëshuar nga institucione të arsimit të lartë (IAL) që ofrojnë programeve të studimeve të formimit të vazhduar në fushën e mësuesisë./Marrë nga Panorama.