Nga infrastruktura, energjia, minierat, investimet, bujqësia, turizmi dhe mjedisi, arsimimi, shkenca dhe kultura, miratohet marrëveshja e Shqipërisë me Azerbajxhanin

0

TIRANË- Komisioni për Politikën e Jashtme në Kuvend ka miratuar sot marrëveshjen e re të bashkëpunimit me Azerbajxhanin.

Marrëveshja ka në fokus rritjen e ndërveprimeve në fusha si infrastruktura, energjia, miniera, investimet, bujqësia, turizmi dhe mjedisi, arsimimi, shkenca dhe kultura.

Zv/ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Endrit Yzeiraj, gjatë punimeve në Komisionin për Politikën e Jashtme tha se kjo marrëveshje është një përditësim i një marrëveshje të mëparshme, të firmosur në prill të vitit 2013. “Ka pësuar ndryshime e përditësime përgjatë viteve. Është parë e udhës nga qeveritë e të dyja vendeve të plotësohet me marrëveshje të re kuadër. Fusha të reja bashkëpunimi janë: Infrastruktura, energjia, minierat, investimet, bujqësia, turizmi dhe mjedisi, arsimimi, shkenca dhe kultura”, tha Yzeiraj.

“Krijon një strukturë të re të qartë menaxhimin e mosmarrëveshjeve. Mbi të gjitha krijon një komiteti të përbashkët ndërqeveritar që do të jetë përgjegjës për ndjekjen e marrëveshjes, për zhvillimin e takimeve të rregullta dhe mbi të gjitha për të propozuar fusha të reja bashkëpunimi, ose për të propozuar marrëveshje specifike të reja që lindin nga kjo marrëveshje kuadër. Ne gjykojmë se kjo është një marrëveshje që përmirëson marrëdhëniet mes dy vendeve. Nuk shkel detyrimet që palët kanë në raport me vendet e treta për shkak të marrëveshjeve të tjera. Nuk shoqërohet me kosto financiare për buxhetin”, nënvizoi Yzeiraj.

Deputeti i PS, Bardhyl Kollçaku, i cili është dhe relator i marrëveshjes, tha se me Azerbajxhanin bashkëpunimi është në rritje. “Kemi lëvizjen e lirë pa viza, TAP, por dhe memorandumi për gazifikimin e Shqipërisë, turizmin etj.”, tha ai.

Deputeti i Partisë Demokratike Tritan Shehu, tha se marrëveshjet me Azerbajxhanin janë shumë pozitive, që prej qeverisë së PD para vitit 2013. “E mirëpresim këtë marrëveshje. Është e rëndësishme me një vend, që është partner i rëndësishëm. Është një marrëdhënie shumëvjeçare dhe kemi marrëveshje strategjike, siç është TAP, që është nisur që në kohën e qeverisë Berisha. Pa dyshim, roli i atij vendi ka qenë tejet i rëndësishëm, por realizimi dhe zhvillimet gjeopolitike tregoi se sa i rëndësishëm ishte përzgjedhja e atij vendi për të zvogëluar influencën ruse në Europë dhe tërësi. Ishte një projekt që tregoi se kishte perspektivë të rëndësishme gjeopolitike”, tha Shehu.

Pas diskutimeve, anëtarët e Komisionit votuan pro kësaj marrëveshje në mënyrë unanime.

Video me pamjet e veprimtarisë së komisionit

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu