Nga Italia deri në Angli/ Të gjithë e uruan Ramën. Edhe nga Lugina e Preshevës. Por heshtje totale nga Kurti dhe Vuçiç

0

Nga Italia, Franca, Gjermania, të shumtë ishin liderët europianë që uruan kryeministrin Edi Rama për fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit.

Sakaq, një përshëndetje speciale ka ardhur edhe nga Lugina e Preshevës.

Ka qenë Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e cila ka uruar kryeministrin Edi Rama për mandatin e ri qeverisës, duke theksuar mbështetjen dhe vlerësimin e shqiptarëve të Luginës për lidershipin e tij.

Në një letër urimi, Sinani vlerëson fitoren e Ramës si “dëshmi e besimit të qytetarëve të Shqipërisë në udhëheqjen vizionare dhe reformuese” të kryeministrit, duke e cilësuar këtë sukses si frymëzues edhe për shqiptarët jashtë kufijve shtetërorë.

“Dëshiroj të shpreh mirënjohjen tonë të veçantë për angazhimin tuaj të vazhdueshëm në ndërkombëtarizimin e çështjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës, për ngritjen e zërit kundër pasivizimit të adresave dhe për përkrahjen e vazhdueshme në përballjen me vështirësitë me të cilat përballemi çdo ditë”, shkruan Sinani.

Mes të tjerash Sinani vlerëson gjithashtu rolin që po luan qeveria shqiptare përmes institucioneve diplomatike në mbështetje të shqiptarëve të Luginës, duke e cilësuar këtë angazhim si “burim shprese dhe qëndrueshmërie”.

Ndërkohë, bie në sy mungesa e urimit nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, çka tregon dhe njëherë se marrëdhëniet mes dy liderëve shqiptarë janë të akullta.

Edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ashtu si Kurti, nuk e ka uruar kryeministrin shqiptar për fitoren e zgjedhjeve.

Ndërkohë, Rama ka marrë mesazhe nga Giorgia Meloni, Pedro Sanchez, Volodymyr Zelensky, Keir Starmer, Orban Viktor, Ursula von der Leyen, Emmanuel Macron dhe Antonio Costa, etj. Voxnews