Elbasan, 16 prill 2025 – Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka referuar në Prokurori materiale për një sërë veprash penale të evidentuara nga strukturat e saj në qytete të ndryshme të qarkut. Personat e përfshirë janë proceduar për vepra që variojnë nga posedimi i lëndëve narkotike, punësimi i paligjshëm, deri te pushtimi i tokës dhe dhuna në familje.
– Specialistët për Hetimin e Narkotikëve kanë nisur procedimin penal për Sokol Kurti, 21 vjeç, pasi gjatë një kontrolli fizik iu gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike, e llojit kanabis.
– Për veprën penale “Punësimi i paligjshëm”, nisi procedimi ndaj Edmond Metani, 36 vjeç, pas kallëzimit të Behar Sulës, 59 vjeç. Ky i fundit deklaroi se kishte punuar për dy muaj në ruajtjen e bagëtive të shtetasit Metani, por nuk kishte marrë pagën dhe as sigurimet shoqërore, sipas marrëveshjes.
– Në fushën e sigurisë rrugore, procedim penal u nis ndaj Arben Bilalit, 53 vjeç, pasi në rrugën “Qemal Stafa” përplasi me automjet shtetasin Dorian Zoto, 33 vjeç, i cili po lëvizte me monopatinë dhe mbeti lehtë i lënduar.
– Në Komisariatin e Policisë Cërrik, u proceduan penalisht Fatos Troplini, 58 vjeç dhe Sokol Dervishi, 59 vjeç, të dy të dyshuar për pushtim të një sipërfaqe toke në fshatin Qafëshkallë, që i përket shtetasit Arben Kodra, 72 vjeç. Po ashtu, në të njëjtin komisariat, u procedua penalisht edhe Elton Hyseni, 32 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj mbesës së tij 14-vjeçare, për motive të dobëta.
– Në Peqin, procedimi penal u regjistrua ndaj Nikoll Hila, 44 vjeç, pasi është konstatuar duke kryer punime ndërtimi pa leje.
– Në Gramsh, është proceduar penalisht Dafina Leka, 48 vjeçe, e cila vuan nga probleme të shëndetit mendor. Ajo dyshohet se ka dëmtuar lehtë, me send të fortë, një grua 54-vjeçare.
Të gjitha materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.