Nga manovrat e rrezikshme, te dalja nga mjeti në mes të natës duke bërtitur para komisariatit dhe përplasja fatale, si ndodhi aksidenti tragjik në Lushnjë

0

Zbardhen detaje nga aksidenti tragjik që ndodhi në Lushnjë, ku një 43-vjeçar humbi jetën. Sipas policisë, rreth orës 01:45, punonjësit e sallës operative të Komisariatit të Policisë Lushnjë, nëpërmjet kamerave të sigurisë, kanë konstatuar përpara Komisariatit, një “Mercedes-Benz”, duke kryer manovra të çrregullta, dhe më pas drejtuesi i automjetit ka dalë nga automjeti duke bërtitur para Komisariatit, veprim të cilin e ka përsëritur disa herë.

Në këto kushte, salla operative ka njoftuar Patrullën e Përgjithshme që ishte me shërbim në qytet, për t’u afruar në Komisariat, me qëllim verifikimin e drejtuesit të automjetit dhe arsyen e sjelljeve të tij.

Drejtuesi i automjetit, sapo ka parë Patrullën e Përgjithshme që vinte drejt Komisariatit, është larguar me shpejtësi të madhe dhe pas disa minutash dyshohet se për shkak të shpejtësisë së madhe dhe humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit nga ana e drejtuesit, automjeti është përplasur me bordurat anësore të rrugës, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Plasmasit” dhe është përmbysur. Si pasojë, drejtuesi i automjetit, shtetasi E. Xh., 43 vjeç, banues në Tiranë, ka humbur jetën.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.