Nga organizimi i partisë te rritja e përfaqësimit të grave dhe diasporës/ Kuvendi i PD-së miraton ndryshimet në Statut

0

TIRANË- Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike ka miratuar tetë ndryshimet në Statuin e partisë. Këto ndryshime synojnë rritjen e përfaqësimit, forcimin e strukturave të brendshme dhe përmirësimin e funksionimit organizativ të partisë. Në ndryshimet e raje përfshihet fuqizimi i rolit të diasporës shqiptare, duke parashikuar që 15% e listave zgjedhore dhe organeve drejtuese të përbëhen nga përfaqësues të saj.

Një tjetër ndryshim lidhet me rritjen e përfaqësimit të grave dhe vajzave në strukturat e partisë, nga 30% në 40%. Ndryshime do të ketë edhe në procesin e Primareve, ku kandidatët, para se të votohen nga kryesia, do të duhet të kalojnë në filtrin e një Komisioni.

NDRYSHIMET NE STATUT:

1. Fuqizimi i Diasporës shqiptare dhe përfaqësimi real politik i saj. 15% në lista dhe në organet e partisë duhet të jenë përfaqësues nga Diaspora.

2. Fuqizimi i rolit të grave dhe vajzave në Parti, duke e rritur përfaqësimin e tyre nga 30 % në 40%.

3. Ngritjen e Komisionit të Seleksionimit të Kandidaturave për deputet dhe kryetar bashkie, si strukturë autonome nga organet drejtuese të partisë, përpara realizimit të procesit të primareve.

4. Përmirësimi i organizimit bazë të partisë (grupseksionet dhe nëndega) dhe forcimi i Kolegjit të Kryetarëve të Grupseksioneve.

5. Forcimi i raporteve mes Degëve të Partisë dhe të zgjedhurve vendor (këshilltarëve bashkiak).

6. Njohja e një statusi të barabratë për të gjitha organizatat partnere të partisë, duke respektuar historinë e themelimit të PDSH.

7. Mbrojtja e të dhënave personale të anëtarëve të Partisë.

8. Saktësimi i rregullave të shkarkimit të kryetarëve të degëve, duke i dhënë më shumë garanci të qëndrimit në detyrë.