Nga propozimet, seleksionimet deri tek kryetarët e degëve. Zbardhet skema e re e PD, si do zgjidhen kandidatët për deputetë e kryebashkiakë

0

Një ditë pasi Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore arriti dakordësinë për draftin e ri të Kodit Zgjedhor, Partia Demokratike nisi nga puna për t’u përgatitur për zgjedhjet e ardhshme.Selia-e-PD-770×434

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, mblodhi dje Kryesinë e PD-së për t’u shpjeguar udhëzimin që do të ndjekin për identifikimin, seleksionimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve për pushtetin qendror dhe atë lokal.

Mbledhja, e cila zgjati më shumë se dy orë, dje nisi me një minutë heshtje në nderim të kryetarit të degës së Krujës, i cili ndërroi jetë pak ditë më parë. Më pas, kreu i selisë blu, Lulzim Basha, informoi anëtarët e Kryesisë në lidhje me procesin që u ndoq për përmbylljen e Reformës Zgjedhore dhe më pas kaloi në çështjen kryesore të ditës, duke i lexuar udhëzimin. Dokumenti i lexuar nga kryetari i PD-së përcakton katër fazat e procesit.

PROPOZIMI

Në pikën e parë, dokumenti sanksionon që të bëhet identifikimi dhe propozimi i kandidatëve të mundshëm. Kjo do të bëhet nga grupseksionet e PD-së. Procesi i identifikimit të kandidatëve do të organizohet nga një koordinator, që është caktuar nga kryesia e PD-së. Çdo anëtar i Kryesisë së PD-së do të dërgohet në një qark të caktuar, ku nuk ka konflikt interesi.

Ai do të bëjë njoftimin e mbledhjeve të grupseksionit dhe do të mbledhë propozimet sipas formularëve tip, që do të përmbajnë disa të dhëna të caktuara. Çdo anëtar mund të propozojë një emër. Pasi përfundojnë mbledhjet e grupseksioneve dhe nuk ka më propozime, atëherë lista me kandidatët mund të konsiderohet e mbyllur. Por udhëzimi lë mundësi që të ketë edhe vetofrime për kandidatë.

Për këtë kategori ka një afat 4-ditor që një person, i cili nuk është propozuar, të vetofrohet pasi të ketë marrë mbështetjen me shkrim nga 10 anëtarë të PDsë. Ajo që vlen të përmendet është se ka një kategori funksionesh në selinë blu, që nuk mund përfshihen automatikisht në kandidatë të mundshëm për t’u përfshirë në listë për deputetë apo kryetarë bashkie.

“Procesit të propozimit, konsultimit dhe përzgjedhjes së kandidaturave nuk i nënshtrohen kryetari i partisë, sekretari i përgjithshëm, nënkryetarët e partisë, kryetari i Këshillit Kombëtar dhe kryeministrat gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike”, shkruhet në udhëzimin e PD-së.

KRYETARËT E DEGËVE

Në mbledhjen e djeshme, në udhëzimin e PD-së janë bërë edhe disa saktësime për të shmangur konfliktin e interesit pas shqetësimit të ngritur nga Jemin Gjana. Kryetarët e degëve dhe sekretarët e degëve të PD-së, nëse do të duhet të bëhen pjesë e garës për në listat për kandidatë, duhet të japin dorëheqjen deri në përfundimin e procesit. Pasi përfundon procesi i identifikimit dhe propozimit të kandidatëve të mundshëm, koordinatori i procesit për çdo qark që është komanduar nga anëtarët e Kryesisë së PD-së, përgatit një raport me informacione për secilin kandidat dhe ia dorëzon sekretarit organizativ të selisë blu.

SELEKSIONIMI

Faza e dytë e procesit është vlerësimi i kandidatëve. Ky proces nis pas datës 3 gusht. Sipas udhëzimit, procesi i vlerësimit do të ndahet në dy faza. Në fazën e parë vlerësohet roli i kandidatit në shoqëri, parti etj. “Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve vlerëson përmbushjen nga kandidatët të kritereve formale të parashikuara në këtë udhëzim, atyre të pastërtisë së figurës, si dhe të elementeve të tjera të nevojshme për kontributin, që lidhen kryesisht, por pa u kufizuar, me arsimimin, integritetin, të shkuarën gjatë regjimit komunist, mospasjen e rekordeve kriminale, si dhe standardet dhe rregullat e përcaktuara nga Komisioni i Integritetit dhe Etikës”, thekson udhëzimi.

Kjo fazë do të prodhojë dy lista: një me ata që përmbushin kriteret dhe do t’i nënshtrohen fazës së dytë të verifikimit, që është kontrolli i pastërtisë së figurës dhe etikës dhe lista e dytë është me ata, të cilët nuk plotësojnë kriteret e para, por që nuk skualifikohen. Mbesin në pritje.

PËRZGJEDHJA

Nga data 15 deri më 30 shtator do të jetë procesi i përzgjedhjes. Komisioni Zgjedhor në Partinë Demokratike do të përgatisë listën e votuesve dhe 10 ditë para datës së votimit do të bëjnë me dije vendin e votimit dhe listën e votimit. Këshilli Kombëtar do të votojë kandidatët e selektuar.

Por në këtë rast, anëtarët e PD-së nuk do të votojnë preferencën e tyre për kandidatë, por do të votojnë ata, të cilët nuk duan që të jetë në listën e kandidatëve. Çdo anëtar ka të drejtë të votojë më shumë se një, por jo më shumë se 20% të numrit të kandidatëve në listë në nivel seksioni. 80% e listës së kandidaturave do të përzgjidhet nga anëtarësia e Partisë Demokratike, ndërsa 20% e listës nga Kryesia e PD-së.

KOORDINATORËT E PROCESIT SIPAS QARQEVE

Tiranë: Jorida Tabaku (por jo në degën e saj), Grida Duma, Albana Vokshi, Oerd Bylykbashi, Arben Kashahu
Durrës: Edmond Spaho, Ina Zhupa, Gent Strazimiri e Orjola Pampuri
Korçë: Arben Ristani, Sahit Dollapi, Nada Mecorrapaj, Endri Hasa
Fier: Bardh Kadilli, Etion Kapedani, Arben Ibro
Vlorë: Ervin Minarolli, Dhurata Çupi, xhemal Gjunkshi
Gjirokastër: Ervin Salianji dhe Fatbardh Kadilli
Berat: Tomorr Alizoti dhe Lindita Metalia
Shkodër: Gazment Bardhi, Ivi Kaso
Dibër: Enkelejd Alibeaj, Çlirim Gjata
Kukës: Kreshnik Çollaku, Andon Frrokaj

Procesi do të jetë i ndarë në katër faza:

a) Procesi në nivel dege për identifikimin dhe propozimin e kandidaturave.

b) Procesi i seleksionimit të kandidaturave nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve.

c) Procesi i konsultimit me parimin “një anëtar, një votë” për kandidatët e mundshëm nga anëtarësia.

d) Përzgjedhja dhe caktimi nga Kryesia e partisë dhe miratimi nga Këshilli Kombëtar.

Kandidatët e Partisë Demokratike për përfaqësim politik në nivel qendror dhe lokal duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:

a) të kenë kryer arsimin e lartë;

b) të kenë një profil të spikatur shoqëror në degë apo qark, integritet të lartë moral dhe përgatitje të lartë profesionale.

c) të mos ndodhet në kushtet e pazgjedhshmërisë në një funksion publik, sipas ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i ndryshuar;

ç) në periudhën 29.11.1944 – 02.07.1991 të mos ketë qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i Degëve të Punëve të Brendshme, punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese politike.

Procesi i propozimit, konsultimit dhe përzgjedhjes së kandidaturave mban në konsideratë:

a) përfaqësimi i grave të jetë jo më pak se 30 % e numrit të përgjithshëm të kandidatëve.

b) përfaqësimi i të rinjve të jetë jo më pak se 10 % e numrit të përgjithshëm të kandidatëve.

c) përfaqësimi i shtresës së të përndjekurve politikë e pronarëve.

ç) kandidaturat e konfirmuara nga anëtarësia të përbëjnë jo më pak se 80 % të listës së kandidatëve, ndërkohë që jo më shumë se 20 % e listës së kandidatëve të përzgjidhen nga Kryesia e PDSH-së, si prurje të reja nga bota akademike apo shoqëria civile, përfaqësues të të përndjekurve politikë apo pronarëve, përfaqësues të diasporës, përfaqësues të sipërmarrjes, personalitete politike me kontribut të gjatë në parti etj.

Procesit të propozimit, konsultimit dhe përzgjedhjes së kandidaturave nuk i nënshtrohen kryetari i partisë, sekretari i përgjithshëm, nënkryetarët e partisë, kryetari i Këshillit Kombëtar dhe kryeministrat gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike.

Anëtarët e partisë kanë të drejtën e identifikimit dhe propozimit të kandidaturave të mundshme elektorale, të cilat duhet të plotësojnë kriteret e parashikuara në këtë udhëzim. Çdo anëtar ka të drejtën e vetëm një propozimi në mbledhjen e grupseksionit ku ai është anëtar, në përputhje me parimin “një anëtar, një votë”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu